×
Intervista

Ministrja Haxhiu: Rekomandimi i votuar nga Qeveria për Vetting-un, është ai me ndryshime kushtetuese

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
22 Dhjetor 2021 | 17:00

Vetting-u, puna në gjykata e në prokurori, monitorimi i drejtësisë në vend, huazimi i qelive për Danimarkën – këto janë disa prej temave që janë prekur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një interviste që ka realizuar Gazeta Online Reporteri.net.

Javë më parë shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka kritikuar drejtësinë në vend dhe ka kërkuar që rastet e profilit të lartë, të trajtohen më me seriozitet e më shpejtë. Haxhiu thotë se i ka mirëpritur kritikat dhe se si ministre, po punon që ta luftojë sa më shpejtë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ministrja Haxhiu po ashtu ka folur edhe për procesin e vetting-ut. Ajo, në intervistën e saj të parë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, tregoi se në muajin nëntor ka miratuar koncept dokumentin për Vettingun në Sistemin e Drejtësisë, dhe kjo i ka hapur rrugë edhe fillimit të punës. Sipas Haxhiut, rekomandimi i votuar nga Qeveria është përfundimisht, ai me ndryshime kushtetuese.

Sa i përket marrëveshjes së fundit ku Kosova dhe Danimarka nënshkruan një letër-pëlqim ku 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës, Haxhiu e ka vlerësuar Kosovën përfituese.

Ajo sqaron se Danimarka është pajtuar që të paguajë një tarifë vjetore prej 15,000,000 € në vit për një periudhë fillestare pesë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare dhe Kosova nga kjo marrëveshje përfiton 210 milionë euro, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të dedikohen për investime kapitale, gjegjësisht për energji të ripërtëritshme.

Reporteri.net: Znj.Haxhiu, këtë bisedë në fundvit, do të doja ta nisnim me një çështje që prej fillimvitit, por edhe vitet paraprake na ka preokupuar. Është dhuna në familje, kryesisht ndaj grave. Sa po punohet në parandalimin e dhunës në familje?

Albulena Haxhiu: Qeveria e Kosovës sapo ka marrë mandatin ka filluar punën në parandalimin e dhunës në familje. Fillimisht është themeluar Grupi Ndërministror kundër dhunës në familje, ndërkohë do të vijojë puna drejt finalizimit të Strategjisë për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave dhe Plani i Veprimit 2022-2026, e cila Strategji parashikon rreth 150 aktivitete konkrete kundër dhunës. Zëvendës Ministrja Nita Shala është koordinatore nacionale dhe udhëheqë me Grupin Ndërministror. Rezultatet e mira nga parandalimi i dhunës në familje do të kemi vetëm me angazhim të përbashkët të secilit qytetar, por në veçanti me angazhimin e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave në mbledhjen e provave, hartimin dhe mbrojtjen e aktakuzave dhe në fund gjykimin e dënimin e kryesve të dhunën në familje.

Haxhiu mirëpret kritikat e EULEX-it për drejtësinë

Reporteri.net: Para pak ditësh, shefi i EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, ka kritikuar drejtësinë në vend dhe ka kërkuar trajtim më serioz dhe më të shpejtë të rasteve të profilit të lartë. Si e komentoni këtë?

Haxhiu: Kritika që ka bërë EULEX është në drejtim të gjykatave dhe prokurorive, e me të cilën kritikë edhe unë si Ministre pajtohem, pasi që rastet të profilit të lartë apo rastet e shënjestruara vazhdojnë të trajtohen nga gjykata por ende nuk kemi mësuar për rezultatin final të tyre. Në anën tjetër që nga marrja e mandatit e deri më sot, vazhdimisht si Ministre e Drejtësisë jam angazhuar që përmes iniciativave ligjore të reja apo plotësim ndryshimeve të ligjeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit apo krimit, të ndihmoj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Si shembull mund të përmendet rregullorja për mbrojtjen e sinjalizuesve  e cila që në fillim të mandatit është finalizuar dhe më pas është miratuar në Qeveri.

Reporteri.net: Si i pritët përgjithësisht gjetjet e Raportit për Monitorimin e Drejtësisë në Kosovë, që u përgatit nga EULEX-i?

Haxhiu: Gjetjet janë shumë të rëndësishme fillimisht për gjykatat dhe prokuroritë e më pas për Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme. Gjetjet konsideroj që janë një pasqyrë e qartë e problemeve që janë në sistemin e drejtësisë, e të cilat probleme janë konstatuar edhe në Rishikimin Funksional të Sistemit të Drejtësisë dhe një pjesë e tyre pritet të adresohen me Strategjinë për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Ajo që është shumë e rëndësishme është që të gjithë akterët duhet të bashkëpunojnë në arritjen e qëllimeve finale, e që është drejtësi për qytetarin.

Reporteri.net: Meqë jemi në përfundim të këtij viti, cilat mendoni se janë problemet që po përcjellin Ministrinë që ju drejtoni, dhe që do t’i ktheni fokus më të lartë vitin e ardhshëm?

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë është një ndër ministritë më të mëdha në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me një numër të konsiderueshëm të stafit, kjo për shkak të departamenteve që ka brenda dhe agjencive që kemi nën menaxhim dhe na përgjigjen. Aktualisht jemi në fund të vitit dhe gjatë gjithë periudhës qeverisëse kemi evidentuar problemet, të cilat më pas do të adresohen me dhe përmes sekretarit të ministrisë. Fokusi ynë është arritja e secilës objektivë që i kemi vënë vetës përpara.

Haxhiu jep detaje rreth ndryshimit të ligjeve bazike që lidhen me sistemin prokurorial

Reporteri.net: Ju keni planifikuar ndryshimin e dy ligjeve bazike, atë për Kryeprokuror të Shtetit e Ligjin për Këshillin Prokurorial. Deri ku ka shkuar puna?

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë në verën e këtij vitit që po e lëmë pas ka miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit në Kosovë, e cila strategji ka dal nga Rishikimi Funksional i Sistemit të Drejtësisë. Në kuadër të Rishikimit Funksional është paraparë që të bëhet ndryshimi në ligjet që lidhen me sistemin prokurorial në vend. Ministria e Drejtësisë ka mbledhur grupin punues, në të cilin janë përfshirë të gjithë akterët relevant përfshirë Këshillin Prokurorial, Kryeprokurorin e Shtetit, Prokurorinë Speciale, shoqërinë civile, ambasadat e huaja dhe organizatat ndërkombëtare. Pas propozimeve të para, ligjin bashkë me ndryshimet e kemi adresuar tek Komisioni i Venecias dhe nga ky komision kemi marrë një përgjigje pozitive që konfirmon vazhdimin e punës në reforma të sistemit porkurorial.

Haxhiu: Së shpejti finalizohet pakoja me ligjet që do të ndryshohen

Reporteri.net: Komisioni i Venecias, së fundmi ua ka konfirmuar nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Cilat do të jenë hapat e ardhshëm që do të ndërmerrni më saktësisht?

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë me punën në grupin punues për plotësim ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në dy ligjet të tjera. Pas takimit që kemi pasur me grupin punues jemi dakorduar që secili të bëjë propozimet mbi kërkesat që dalin nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kërkesa të cilat do të adresohen drejtpërdrejt në tekstin e ligjit. Është me rëndësi të thuhet se të gjithë përfshirë edhe sistemin prokurorial janë pajtuar me rekomandimet dhe udhëzimet që i jep Opinioni i Komisionit të Venecias. Konsideroj që shumë shpejtë pakoja me ligje do të finalizohet dhe më pas të miratohet në Qeveri e të shkoj për miratim në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë: Vetting-u, mundësi e mirë që do ta rrisë besimin në drejtësi

Reporteri.net: Procesi i vetting-ut është një tjetër temë që prekë institucionin që ju drejtoni. Është thënë se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë proces të vetting-ut. Sa vlerësoni se e keni adresuar këtë çështje përmes së cilës po synohet forcimi i sundimit të ligjit dhe çfarë është vendosur deri tash?

Haxhiu: Qeveria e Kosovës në muajin nëntor ka miratuar koncept dokumentin për vettingun në Sistemin e Drejtësisë, ashtu që kjo i ka hap rrugë edhe fillimit të punës. Rekomandimi i votuar nga Qeveria është ai me ndryshime kushtetuese, dhe Ministria e Drejtësisë ka themeluar grupin punues për hartimin e normave kushtetuese për amendamentin e Kushtetutës. Njëkohësisht është duke u punuar edhe në përgatitjen e pakos ligjore që mbështet dhe vë në funksion ndryshimet kushtetuese apo mekanizmin e venttingut. Vettingu do të jetë mundësi shumë e mirë për Sistemin e Drejtësisë në Kosovë që të rris besimin e publikut në sistem por edhe të ngrisë nivelin e integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit.

Kosova përfiton 210 milionë euro nga marrëveshja me Danimarkën

Reporteri.net: Kosova dhe Danimarka nënshkruan më 20 dhjetor një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës. Na tregoni më detajisht çka përfiton Kosova dhe cilat do të jenë anët pozitive të këtij vendimi?

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ofruar gatishmërinë e saj që të japë në dispozicion të Mbretërisë së Danimarkës kapacitete të burgut në Kosovë për 300 vende për të burgosurit nga Danimarka për të cilën gjë Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Danimarkës është pajtuar që të paguajë një tarifë vjetore prej 15,000,000 € në vit për një periudhë fillestare pesë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare. Republika e Kosovës nga kjo marrëveshje përfiton 210 milionë euro, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të dedikohen për investime kapitale, gjegjësisht për energji të ripërtëritshme, po ashtu do të fitojë përvojën daneze në menaxhimin e burgjeve, trajnime për stafin e Shërbimit Korrektues etj.

Reporteri.net: Znj.Haxhiu për fund, a mund të na tregoni si e gjetët Ministrinë kur morët postin, çfarë ndryshimesh sollët, dhe çfarë ju pret vitin e ardhshëm?

Haxhiu: Problemet e trashëguara nga qeveritë e kaluara janë probleme të cilat janë ballafaquar secila ministri. Ajo që ne fillimisht kemi bërë ka qenë skanimi i gjendjes dhe më pas përmes auditorit të brendshëm kemi parë shkeljet që janë kryer apo që mund të kryhen në vazhdim, për t’i parandaluar ato. Vazhdimisht përgjatë vitit kurdo që kemi gjetur shkelje ligjore e kemi adresuar atë qoftë në Polici qoftë në Prokurori për hetimet të mëtutjeshme. Vitin tjetër synojmë modernizimin e shërbimeve të brendshme, rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!