Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, u ka bërë thirrje liderëve politikë që të gjejnë kompromis për t’i dhënë fund bllokadës institucionale dhe për të mundësuar funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Mesazhin ai e dha të martën mbrëma gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Francës me rastin e Festës Kombëtare Franceze.
Guérot tha se po e përsëriste të njëjtin mesazh që kishte dhënë edhe një vit më parë, pasi, sipas tij, situata politike në Kosovë mbetet e pandryshuar.
“Për të nënshkruar marrëveshje me ju dhe për t’i zbatuar ato, ne kemi nevojë për institucione funksionale. Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë franceze, kanë nevojë për partnerë me të cilët mund të ecin përpara dhe ta shoqërojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, tha ai.
Ambasadori francez u bëri thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë vetë zgjidhjen për krizën politike.
“Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur. Një thirrje që të gjejnë rrugët për një funksionim gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës. Ky ishte mesazhi im i vitit të kaluar. Pas një viti dhe dy palë zgjedhjesh, ky mesazh mbetet aktual”, u shpreh Guérot.
Ai njoftoi gjithashtu se në të ardhmen e afërt pritet një vizitë në Prishtinë e një anëtari të Qeverisë franceze, duke theksuar se kjo do të shënojë një fazë të re të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
“Po punojmë me ekipet tuaja për vizitën e një anëtari të Qeverisë franceze në Prishtinë. Jam i bindur se kjo vizitë do të shënojë fillimin e një procesi në të cilin Franca do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, deklaroi ai.
Në të njëjtën ceremoni foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e cilësoi Francën një aleate të rëndësishme të Kosovës.
“Për ne, Franca ka qenë një mike dhe aleate në momentet vendimtare. Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë”, tha Kurti.
Ai shtoi se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet një zgjedhje strategjike dhe demokratike, duke theksuar se partneriteti me Francën po thellohet përmes bashkëpunimit politik, institucional, kulturor dhe arsimor.