×
  • Lajme
  • Lajme

    Analisti i njohur serb: Thirrjet për bojkotim të zgjedhjeve në veri, mund të jenë potez i rrezikshëm

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 12:45

    Vendimi për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës, është një lëvizje politike e projektuar në bazë të ligjit zgjedhor në Kosovë dhe në këtë moment është e vështirë të parashikohet se si do të rrjedhin ngjarjet, tha sot kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike dhe analisti i njohur serb Dushan Janjiq.


    “Mundësia e parë është se kjo është pjesë e një veprimi më të gjerë, për të cilin është i informuar edhe Beogradi dhe për të cilin është marrë vendim në mënyrë të koordinuar me administratën amerikane. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tani do të duhet të vendosë nëse do të bëjë thirrje për bojkot të zgjedhjeve”, tha ai për agjencinë  serbe të lajmeve Beta, transmeton Reporteri.net.

    Sipas fjalëve të Janjiq, opsionet mund ta vonojnë gjithë procesin dhe të ndikojnë në shtyrjen e zgjedhjeve, gjë që mund të sjellë paqëndrueshmëri dhe nervozizëm shtesë në mesin e serbëve në veri të Kosovës. “Sidoqoftë, duhet të presim lëvizjen e ardhshme nga të dyja palët dhe të shohim nëse është e mundur të ndodhë ajo që Maja Gojkoviq ka thënë, domethënë të vazhdojë dialogu me të gjitha tensionet”, shtoi ai.

    Opsioni i tretë është më i ashpër, me rrezikun e tensioneve dhe konfliktit, dhe Janjiq beson se një zgjidhje e tillë është më pak e mundshme dhe thotë se në këtë pikë ai nuk e sheh se është në interesin e Beogradit apo të Prishtinës për përshkallëzim të situatës, që do të nënkuptonte konflikte të mundshme. “Fakt është se radikalizmi gradual mund të çojë në incidente, por në këtë moment unë nuk shoh interesimin e Beogradit dhe Prishtinës për diçka të tillë”, thotë ai./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!