Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor 2026. Certifikimi i rezultateve u bë një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Para certifikimit, kryesuesi Radoniqi njoftoi se PZAP dhe Gjykata Supreme kanë përfunduar me trajtimin e ankesave të parashtruara në këto institucione kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 27 qershor 2026. Këto vendime nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, pasi 5 ankesat e parashtruara janë refuzuar.

Po ashtu, kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi njoftoi se ka pranuar njoftimet nga dy kandidatët e zgjedhur nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj, se tërhiqen nga pranimi i mandatit të deputetit. Dy kandidatët e zgjedhur u zëvendësuan me kandidatët e radhës, Bekë Berisha dhe Burim Ramandani.

Reklamë

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026, morën pjesë 21 subjekte politike, prej të cilave: 17 parti politike; 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për deputetë ishte 902 kandidatë./Reporteri.ne/