Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas aksionit të Krimeve Ekonomike në Komunën e Prishtinës, ku tre zyrtarë komunalë u arrestuan për marrje ryfsheti.
Në reagim thuhet se rasti nuk është i izoluar, por pasqyrë e keqqeverisjes, keqpërdorimit dhe abuzimit institucional të rrënjosur prej vitesh në këtë komunë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë, përshëndet veprimet e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë kompetente lidhur me aksionin e sotëm në Komunën e Prishtinës, ku tre zyrtarë komunalë janë kapur në flagrancë duke marrë ryshfet. Jemi të bindur se ky rast nuk është i izoluar, por pasqyrë e një gjendjeje të rëndë të keqqeverisjes, keqpërdorimit dhe abuzimit institucional. Prej vitesh kemi sinjalizuar dhe denoncuar raste të shumta të dyshimta, të cilat tash po konfirmohen përmes veprimeve konkrete hetimore”, thuhet në reagim.
VV thekson se raste të tilla kanë dëmtuar funksionimin e institucionit komunal, kanë minuar besimin e qytetarëve dhe kanë penguar zhvillimin normal të kryeqytetit.
Po ashtu, kërkohet zbardhja e plotë e rastit, ndjekja penale e të gjithë personave të përfshirë dhe hetimi i rasteve të tjera për të cilat, sipas tyre, ekzistojnë dyshime serioze.
“Krimi dhe korrupsioni në Komunën e Prishtinës janë të rrënjosura thellë, si pasojë e një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe pa llogaridhënie. Kjo gjendje ka dëmtuar seriozisht funksionimin e institucionit komunal, ka minuar besimin e qytetarëve dhe ka penguar zhvillimin normal të kryeqytetit. Kërkojmë zbardhjen e plotë të këtij rasti, ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht pozitës së tyre, si dhe hetimin e rasteve të tjera për të cilat ekzistojnë dyshime serioze dhe denoncime të dokumentuara.
“Komuna e Prishtinës nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë të funksionojë si strehë e korrupsionit dhe papërgjegjësisë.Koha e pandëshkueshmërisë duhet përfunduar. Prishtina meriton qeverisje të ndershme dhe transparente, qytetarët e Prishtinës meritojnë drejtësi”, thuhet në reagimin e VV-së.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi se të arrestuarit janë zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Bëhet fjalë për Dukagjin Gashin, Afrim Gashin dhe Bashkim Sadikun.
Prokuroria Themelore e Prishtinës në njoftimin e saj bëri të ditur se të njëjtit dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës” dhe “Marrje ryshfeti”.
/Reporteri.net/
Këta janë tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës që u arrestuan për ryshfet