Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale të shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat më pas dyshohet se i ka shpërndarë në platforma online për t’u keqpërdorur.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar se aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës, ndërsa rasti është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e SHBA-së.
Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte vepruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
“Personi i dyshuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka arritur që të sigurojë në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare si dhe personale, kryesisht të shtetasve nga SHBA-të, pastaj këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi duke i vendosur në platforma të caktuara online”, thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë të ditur se pas arrestimit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e SHBA-së. Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.