Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka komentuar zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar garën brenda partisë si një proces të vështirë.
I pyetur për “ndeshjen” brenda LDK-së, Rama tha se në këtë garë ka shumë figura dhe se në fund duhet të fitojë më i miri.
“E, aty nuk dihet, ajo është lojë e vështirë, ka shumë lojtarë. Le të fitojë më i miri”, ka deklaruar Rama për KosovaPress.
Këto komente, Rama i bëri gjatë një prononcimi ku foli edhe për Kampionatin Botëror të futbollit.
Duke komentuar ndeshjet e Botërorit, ai tha se Franca ka treguar paraqitje të mira dhe se e sheh si favorite në përballjen e radhës.
“Franca ka qenë fenomenale. Kanë luajtur fantazi në çdo ndeshje, mendoj se Franca do të fitojë sot. Kampionatin Botëror shpresoj që Anglia, por shanset më të mëdha i ka Franca”, u shpreh Rama.
Ai ftoi qytetarët që ndeshjet e Botërorit t’i ndjekin së bashku në qendër të Prishtinës, duke thënë se nëse Anglia arrin ta mposhtë Francën, do të ishte një befasi e madhe.
“Nëse Anglia e mund Francën, që do ta ketë shumë vështirë, nesër do ta shohim këtë, kështu që bashkëngjituni krejt, ejani në qendër të Prishtinës”, tha Rama.