Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar dy ditë pas mbledhjes së “rrethit të ngushtë” të kësaj partie, në të cilën kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, njoftoi se do të japë dorëheqje dhe se Kuvendit do t’i parashtrojë çështjen nëse ajo pranohet apo jo.
Hoti ka thënë se Statuti i LDK-së është i qartë sa i përket procedurave pas dorëheqjes së kryetarit, duke rikujtuar se Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për dorëheqjen dhe më pas për zgjedhjen e kryetarit të ri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.
Ai ka theksuar se LDK-ja po kalon në një moment të ndjeshëm për të ardhmen e saj politike.
Sipas Hotit, çdo devijim nga kjo procedurë statutare përbën përpjekje për të shtyrë apo relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit aktual. Ai ka shtuar se standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021 dhe është promovuar nga vetë kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoti ka deklaruar se secili që mban përgjegjësi politike në LDK ka detyrimin të mos qëndrojë anash proceseve vendimtare, duke shtuar se vetëm përmes qetësisë, pjekurisë politike dhe gjithëpërfshirjes mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe LDK-ja të vihet sërish në shërbim të Kosovës.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, Hoti ka vlerësuar se rezultati ishte tejet i dobët dhe se LDK-së i nevojitet lidership i ri, si dhe një riorganizim i plotë në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
Ai ka paralajmëruar se, nëse lidershipi aktual nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të japë dorëheqje nga organet drejtuese të LDK-së, duke theksuar se ky është një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit dhe identitetit politik të partisë.
Hoti ka theksuar se të gjithë bartësit e përgjegjësive politike në LDK, nga Kryesia deri te delegatët e Kuvendit, kanë obligim të sigurojnë një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe statutor për zgjedhjen e lidershipit të ri.
Kujtojmë se një ditë më parë, nga pozita e nënkryetares së LDK-së dha dorëheqje Hykmete Bajrami. Ajo po ashtu kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.