Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas deklarimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës për propozimin e ri të BE-së për Asociacionin dhe raportimeve në media.
Hoti me ironi ka thënë se “mediat po shpifin” dhe se kryeministri Kurti nuk e pranon “Zajednicën”.
Duke rikujtuar deklarimet e mëhershëm të Kurtit, Hoti duke ironizuar ka thënë se Kurti “s’i nënshtrohet presionit ndërkombëtar, s’është tradhtar e as i korruptuar”, ndërkohë që këtë e ka shoqëruar edhe me një të qeshur “hahaha”.
““Koha.net po shpif”! Kurrë Albini nuk e pranon ‘zajednicën’! Nuk është tradhëtar e i korruptuar, nuk i nënshtrohet asnjë presioni. Hahaha”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, mediumi “Koha” të mërkurën ka raportuar se Qeveria e Kosovës i ka konfirmuar se kryeministri Kurti është dakorduar që ky “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” të jetë kornizë për vazhdimin e diskutimeve në Bruksel, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.
Megjithatë, pak pas raportimit të mediumit, një këshilltar i Besnik Bislimit ka pretenduar se gjoja mediumi ka interpretuar përgjigjen e dhënë nga qeveria e Kosovës sot.
“Titulli e interpretimi i mëposhtëm, është i gabuar e i pavërtetë dhe nuk reflekton përgjigjen e dhënë nga Qeveria sot. Kryeministri Kurti ka pranuar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Mëtej, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri, i cili përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7 të saj. Pra, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve. Njëjtë, siç shkruhet dhe në përgjigjen e Qeverisë”, thuhet në reagimin e zyrtarit të zëvendëskryeministrit të Kosovës.