×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i Aganit: Vendimi i gjykatës, drejtësi selektive

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 17:29

    Pas vendimit për dënim prej dy viteve e gjashtë muaj burg për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, ka reaguar, avokati i këtij të fundit Adem Vokshi.


    Ai para gazetarëve tha se ky vendim është befasues dhe i papritur, pasi siç konsideron avokati gjitha provat kanë dëshmuar se në veprën që akuzohet Agani nuk ka asnjë element të veprës penale.

    Ndërsa këtë aktvendim të gjykatës e cilësoi si drejtësi selektive.

    Avokati Vokshi u shpreh se pavarësisht të gjithave ka pritur që gjyqtarja në bazë të provave do të shpall aktvendim lirues për ish-ministrin Ferid Agani.

    Ai bëri të ditur se këtë vendim do të kontestojnë në Gjykatën e Apelit dhe tha se ka besim do të kthehet në rishqyrtim.

    “Në Gjykatën e Apelit ky vendim nuk do të kalojë fare. Nëse nuk e prish Gjykata e Apelit për me kthyer lëndën në rishqyrtim me siguri do të ndryshojë dhe do t’i lirojë nga përgjegjësia penale”, deklaroi ai.

    Shpalljen fajtor të klientit të tij ai e cilësoi si drejtësi selektive, pasi siç konsideron avokati në këtë formë kanë vepruar dhe veprojnë ministra të tjerë të shëndetësisë.

    “Nuk është drejtësi selektive kur ministrat para këtij kanë vepruar njësoj dhe nuk përgjigjen. Kur ministrat mbas këtij veprojnë njësoj dhe nuk përgjigjet askush nuk është kjo selektive”, tha Vokshi.

    Bashkë me ministrin Agani është dënuar dhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gani Shabani, me 2 vjet burg pasi janë gjetur fajtor sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.

    Ish ministri Ferid Agani dhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzoheshin në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish ministrit dhe ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!