×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Bahceci’ është spitali privat që u bastis për trafikim organesh njerëzore – arrestohen 4 punonjës

    Reporteri
    17 Maj 2019 | 16:59

    Katër persona të dyshuar për transplantim të kundërligjshëm të organeve janë arrestuar sot gjatë një bastisje në një klinikë private në Prishtinë. Gazeta Online “Reporteri.net” mëson se arrestimet ka ndodhur në spitalin “Bahceci”, në dalje të kryeqytetit. Të katër të arrestuarit janë punonjës të spitalit, përfshirë edhe mjekë.


    Rastin e ka konfirmuar policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

    Katër punonjësit e spitalit privat “Bahceci” po dyshohet se kanë kryer veprat penale “transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore” në bashkëkryerje.

    “Ky operacion policor i përbashkët është realizuar me institucionet tjera si: inspektorët shëndetësorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe pas këtyre veprimeve hetimore janë arrestuar të dyshuarit, prej tyre dy (2) meshkuj dhe dy (2) femra”, njofton Policia.

    Në mesin e të arrestuarve ka edhe mjekë të spitalit “Bahceci”, shkruan Reporteri.net.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar në një numër telefonit të spitalit në fjalë ku u kryen bastisja dhe arrestimet për transplantim të kundërligjshëm të organeve, të publikuar në faqen e internetit të spitalit ‘Bahceci’, por nuk kanë pranuar të japin sqarime.

    “Personat përgjegjës e kanë përfunduar orarin”, ka thënë përmes telefonit, punonjësja që është përgjigjur në telefon, duke mos pranuar që të na kalojë kontaktin me personat kompetent.

    Ndryshe, Policia ka njoftuar se “Gjatë këtij operacioni policor si prova materiale nga inspektorati shëndetësor janë sekuestruar: kopje të dosjeve mjekësore, libra-fletore me shënime dhe dokumente tjera të ndryshme”.

    Tre të dyshuarve me urdhër të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt, ka njoftuar Policia. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!