Bandat e Prishtinës, plagosje me armë në mes të kryeqytetit – larje hesapesh të vjetra

Në mes të Prishtinës, një ditë më parë, duke u përdorur armët, u provua që të lahen hesape të vjetra. Por, arma kapi gabimisht vëllain e atij që po kërkohej nga A.L. Ky i fundit është edhe i dyshuari kryesor i policisë, e që nga dje është në arrati. Familja e ata që njohin të plagosurin, nga frika, flasin pak fjalë për rastin. 


Para shtëpisë së tij, në lagjen “Bajram Bahtiri”, 24-vjeçari B.S., i shpëtoi plumbave me të cilën e gjuajti me armë zjarri një person i njohur për të.

Me lëndimet që i mori në këmbë, B.S., u dërgua menjëherë në QKUK ku iu dha ndihma e parë, teksa, në deklaratën që dha para hetuesisë, ai tregoi edhe për atë që dyshon se mund të qëndrojë prapa kësaj ngjarjeje.

Këtë ai e thotë vetëm mbi dyshimet që ka për rastin. I njëjti shton se nuk ishte ai cak i sulmi, pasi që personi që shkrepi armën sipas tij e kishte qëlluar gabimisht, derisa po kërkonte vëllain e tij, me të cilën besohet se donte të qëronte hesape të vjetra.

B.S., u godit në thembër. Për fatin e tij, lëndimi nuk është i rëndë.

I dyshuari kryesor për këtë rast, është A.L., e për të para hetuesisë ka dëshmuar edhe i plagosuri, megjithatë, ende nuk është vërtetuar se a qëndron ai prapa sulmit.

Kjo sipas të plagosurit ka ndodhur pasi që A.L., kishte pasur më herët probleme më vëllain e tij, e në fakt ai po kërkonte për të kur ndodhi gjuajtja me armë.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka qëndruar në lagjen ku banon i dëmtuari në Prishtinë, teksa familja e tij nuk deshën të komentojnë rastin, duke shtuar se asgjë nuk kishte ndodhur.

Por, në fakt krejt atë se çka kishte ndodhur e kishin parë mirë ata të cilët banojnë në këtë lagje.

Duke dashur të mbesin anonim, shkaku i ndjeshmërisë, ata thanë se kishin dëgjuar të shtënat, e se e njohin mirë familjen e të dëmtuarit. Shpreheshin të rezervuar derisa flisnin për ta, nga frika se mund t’u ndodhte diçka nëse deklaroheshin.

Mirëpo, burime mirë të informuara në Prokurorinë e Prishtinës, merr vesh se i plagosuri ka dhënë emrin e A.L., para policisë, teksa kishte bërë të ditur se ishte goditur gabimisht, pasi që e kishin ngatërruar me vëllain e tij.

“I plagosuri thotë se nuk e di se pse e kanë gjuajtur, edhe personin kur e jep nuk e thotë shumë saktë, e jep emrin, e tashmë po punohet për identifikim”, thotë një burim brenda prokurorisë.

“Ai personi që po dyshojmë që mundet me qenë, ky thotë se s’ka asnjë problem me të si person, as me dikë tjetër, kanë gabuar kur e kanë gjuajtur kanë mendu me gjujtë dikë tjetër, ju ka përngjan si ai e kanë gjujt, kështu ka qenë ideja e tij”, thotë ky burim.

I dëmtuari po thotë se nuk e njeh atë që dyshon se e ka gjuajtur, por, se A.L., njihet nga vëllai e mendon se rasti mund të ketë pasur lidhje me të. Tashmë hetuesia është duke pritur që i dëmtuari ta identifikojë atë përmes fotografisë.

Express gjithashtu mëson se personi që po dyshohet se qëndron prapa sulmit është emër i njohur për organet e rendit.

A.L., e vëllai i të dëmtuarit kishin pasur edhe raste të tjera në polici, e kishin disa lëndë në prokurori, kjo madje prej kur të dy këta kishin qenë të mitur.

Plagosja që ndodhi mbrëmë, po dyshohet se mund të ketë diçka lidhje me ndonjë hesap të vjetër që të dy këta kanë në mes vete.

A.L., ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës e që nga dje gjendet në arrati.

Rastin e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës. Ngjarja sipas tyre ka ndodhur rreth orës 19:00, teksa viktima ka bërë të ditur se për shkaqe ende të panjohura është goditur në këmbë me armë zjarri.

Në vend të ngjarjes është konfiskuar një gëzhojë dhe një predhë e armës së zjarrit.

“Viktima mashkull ka raportuar se për shkaqe ende të panjohura është plagosur në këmbë me armë zjarri nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar, i cili gjendet në arrati. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK, ku pas tretmanit është liruar në shtëpi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë, të cilët kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një gëzhojë dhe një predhë të armës së zjarrit”, thuhet në njoftim të policisë.

Kujtojmë se së fundmi një gjuajte me armë zjarri që ndodhi në Podujevë, teksa 24-vjeçari Adnan Potera arriti të shpëtojë pa lëndime, nga tre plumba të cilët e goditën veturën e tij.