×
  • Lajme
  • Lajme / Agresioni i Serbisë ndaj Kosovës

    BE-ja thotë se ende s’e ka pranuar një raport përfundimtar të Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë

    Autor:Fortuna Shkodra Haliti
    08 Dhjetor 2023 | 15:12

    Bashkimi Evropian akoma nuk e ka pranuar një raport përfundimtar nga ana e Kosovës, lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, shkruan Reporteri.net.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se BE-ja deri tash ka pranuar vetëm informacione rreth sulmit, derisa është në pritje të raportit përfundimtar.

    “Ne kemi marrë informacione për sulmin e 24 shtatorit nga partnerët, përfshirë edhe nga Kosova dhe po presim raportin përfundimtar”, tha Stano.

    Gazeta Online Reporteri.net muajin e kaluar ka siguruar vetëm raportin preliminar të përpiluar nga Kosova. Një përfundimtar, ende nuk dihet nëse është kryer.

    Ky raport, mbi sulmin terrorist në Banjskë, ka gjithsej 50 faqe ku tregohet detajisht se si ishte planifikuar të pushtoheshin komunat veriore të Kosovës dhe si ishte përfshirë drejtpërdrejt Serbia.

    Raporti ka konstatuar se deri në nivelet më të larta të shtetit serb janë të përfshirë në këtë akt. Sipas raportit, Serbia mbështeti dhe ndihmoi këtë sulm terrorist.

    Në përbërje të grupit paraushtarak që kreu sulmin në Banjskë ishin 80 paraushtarakë të armatosur, konstaton raporti. Grumbulli i dokumenteve dhe sasia e armatimit të konfiskuar në vendin e ngjarjes, dëshmojnë  se ky sulm ishte bërë për të të nxitur një grusht shteti më të gjerë të dhunshëm kundër Republikës së Kosovës dhe të shërbejë si pretekst për një ndërhyrje ushtarake të ushtrisë serbe, e cila ka qenë në gatishmëri të lartë dhe e grumbulluar pranë kufirit me Kosovën për një kohë të gjatë, konstaton raporti.

    Reporteri siguron raportin 50 faqësh të Qeverisë për sulmin terrorist në Banjskë, si ishte planifikuar të pushtoheshin komunat veriore dhe si ishte përfshirë direkt shteti serb

    “Ky raport preliminar ofron dëshmi të qarta të mbështetjes dhe koordinimit të Serbisë. Deri në nivelet më të larta të shtetit serb, janë të përfshirë në këtë dhe akte të tjera destabilizuese. Serbia e mbështeti, ndihmoi dhe drejtoi këtë sulm terrorist. Një grumbull dokumentesh dhe një sasi e madhe armësh të nivelit ushtarak, të sekuestruara dhe ekzaminuara nga Organet e rendit të Kosovës, po dëshmojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se ky sulm ishte krijuar për të të nxitur një grusht shteti më të gjerë të dhunshëm kundër Republikës së Kosovës dhe të shërbejë si pretekst për një ndërhyrje ushtarake të ushtrisë serbe, e cila ka qenë në gatishmëri të lartë dhe e grumbulluar pranë kufirit me Kosovën për një kohë të gjatë”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.

    Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë dënuar “ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”, që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

    Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

    Grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!