Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën më 17 janar vizitoi Shqipërinë, ku bashkë me kryeministrin Edi Rama, nënshkruan shtatë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
Profesori amerikan, Alon Ben-Meir që njëherësh është ekspert për çështjet në Ballkan, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë skemave të presidentit turk.
“Duhet të dihet tashmë se agjenda kryesore e Erdoganit në shtetet ballkanike është zgjerimi i ndikimit të tij, pasi ai i sheh këto vende si pjesë përbërëse të sferës legjitime të ndikimit të Turqisë, (à la) alla Perandorisë Osmane. Prandaj, ndërkohë që Shqipëria do që të ketë marrëdhënie të mira me çdo vend në rajon dhe më gjerë, duhet të jetë e kujdesshme që të mos i lërë peng një fuqie të huaj të uritur siç është Turqia nën Erdoganin, i cili dëshiron të dominojë dhe të përdorë financat e tij dhe ndërtimin e projekteve të mëdha si mjete për këtë qëllim. Për më tepër, Erdogani dëshiron të parandalojë hyrjen e Shqipërisë në BE dhe një mënyrë për ta bërë këtë, është duke demonstruar se ai është i gatshëm të zgjerojë tregtinë e Turqisë dhe marrëdhëniet e tjera me Shqipërinë. BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë skemave të Erdoganit dhe të fillojë procesin e integrimit për t’u dhënë shpresë shqiptarëve se e ardhmja e tyre varet nga BE-ja, duke parandaluar që Erdogani të ushtrojë ndikim të padrejtë në derën e pasme të Evropës”, tha Ben-Meir në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net.
Në një konferencë të përbashkët, presidenti turk, Erdogan dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama thanë se të dy vendet do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Presidenti i Turqisë tha se si një vend anëtar i NATO-s, Turqia “e ka të rëndësishme qetësinë e Ballkanit”.
“Ne jemi anëtar të NATO-s dhe do vazhdojmë të bëjmë detyrat tona siç kemi bërë deri më sot. Në lidhje me Ballkanin, jemi të mendimit se është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria e Ballkanit, ndaj ne do të bëjmë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, duke siguruar një të ardhme paqësore, do jemi një nga vendet që e garanton këtë”, tha Erdogan./Reporteri.net/