×
Intervista

Ben-Meir: Serbia mund të insistojë sa të dojë, referendumi në Kosovë do të sillte destabilizim

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
18 Janar 2022 | 12:00

Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, njëherësh profesori amerikan, Alon Ben-Meir në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka folur rreth dështimit të mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Vendimin e Qeverisë së Kosovës, Ben-Meir e quajti të duhur.

Është shprehur i habitur me presionin e shteteve të QUINT-it ndaj Kosovës për ta lejuar mbajtjen e referendumit, pasi sipas tij, asnjëra prej tyre nuk do ta lejonte një gjë të tillë në vendin e tyre.

Ben-Meir po ashtu ka folur edhe për raportet e Kosovës me SHBA-në, për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Profesori amerikan tha se Kosova nuk duhet ta lejojë veten të bëhet peng i mungesës së zgjidhjes me Serbinë, gjë që është pikërisht ajo që duan Beogradi dhe Moska.

Në fund, e ka komentuar edhe vizitën e presidentit turk Erdogan në Shqipëri. Sipas tij, agjenda kryesore e Erdoganit në shtetet ballkanike është zgjerimi i ndikimit të tij, prandaj bëri thirrje që BE-ja t’i kushtojë vëmendje të veçantë skemave të Erdoganit.

Reporteri.net: Si njohës i çështjeve në Ballkan, së fundmi keni parë një çështje që ka ngritur reagime edhe në spektrin ndërkombëtar. Është tentimi për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë. Serbia si përfundim u tërhoq. Si mund ta analizoni këtë temë?

Ben-Meir: Unë besoj se qëndrimi i kryeministrit Kurti për çështjen e referendumit është i saktë. Siç tha ai, “Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga një vend demokratik”. Edhe pse kjo ka qenë praktikë më parë, kjo nuk do të thotë se duhet vazhduar. Lejimi i hapjes së qendrave të votimit, në thelb sugjeron se pjesa e Kosovës e pushtuar kryesisht nga serbët është territor serb. Serbët që kanë shtetësi të dyfishtë, megjithatë, mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke “votuar me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë”, siç tha Kurti, që është mënyra e duhur për t’u marrë me këtë çështje dhe duhet të kënaqë Serbinë duke përmbushur ende kërkesat kushtetuese të Kosovës.

Ben-Meir shpreh habi ndaj presionit të shteteve të QUINT-it

Reporteri.net: Shtetet e QUINT-it, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, bënë presion mbi Kosovën për lejimin e këtij referendumi. Si e vlerësuat këtë thirrje?

Ben-Meir: Në fakt jam befasuar që këto shtete bënë presion mbi Kosovën për të lejuar hapjen e vendvotimeve serbe në territorin e Kosovës. Asnjë nga këto vende nuk do të kishte lejuar që një praktikë e tillë të ndodhte në vendet e tyre. Pse duhet të ketë një standard tjetër për Kosovën? A do t’i lejonte SHBA-ja qendrat e votimit meksikan në tokën e vet, për t’i lejuar qytetarët meksikanë të votojnë në zgjedhjet që mbahen në Meksikë?

Reporteri.net: A mund të ketë pasoja në raportet mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse, nëse mund të kujtojmë, ju disa herë i keni bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të dëgjojë SHBA-në?

Ben-Meir: Po, unë kam bërë dhe do të vazhdoj t’i bëj thirrje çdo qeverie të Kosovës që të bashkëpunojë me Serbinë për një mori çështjesh, por kjo nuk është njëra prej tyre. Sepse, lejimi i qendrave të tilla serbe në Kosovë cenon pavarësinë e Kosovës, diçka që nuk duhet lejuar. Kjo mund të çojë në kërkesa të tjera serbe që do të çimentonin pretendimin e saj, së paku, për një pjesë të territorit të Kosovës të pushtuar kryesisht nga shtetasit serbë.

Ben-Meir: Rusia dhe Serbia do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo mundësi për të minuar pavarësinë e Kosovës

Reporteri.net: Po këmbënguljen e Serbisë për mbajtjen e referendumit në Kosovë si e patë?

Ben-Meir: Serbia mund të insistojë sa të dojë; a do të lejonte Beogradi që Kosova të hapë qendrat e votimit në Serbi? Nëse ata thonë po, Kosova me kënaqësi do ta zbatonte reciprocitetin, sepse kjo vetëm do ta përforconte pavarësinë e Kosovës.

Reporteri.net: Qeveria e Kosovës pohoi se kjo praktikë e Serbisë po e ndjekë modelin rus dhe ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse. A mund të shihet kjo, siç tha Qeveria, një tendencë të tyre, konkretisht Serbisë, për destabilizim të rajonit dhe po ashtu, të tentojnë të zhbëjnë sukseset e Kosovës?

Ben-Meir: Besoj se edhe Rusia edhe Serbia do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo mundësi për të minuar pavarësinë e Kosovës, ky është vetëm një tjetër shembull. Imagjinoni nëse kjo do të bëhej praktikë në të gjitha shtetet e Ballkanit, sigurisht që do të kishte një efekt destabilizues. Por nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim në sukseset e Kosovës në fusha të tjera të sferës së saj socio-ekonomike dhe politike.

Reporteri.net: A mendoni se ndryshimet kushtetuese në Serbi do ta shtyjnë këtë shtet më përpara në rrugën drejt BE-së?

Ben-Meir: Ky është vetëm një hap i vogël në atë drejtim. Duke pasur parasysh kushtet aktuale gjeopolitike në rajon, tensionin në rritje midis SHBA-së/BE-së dhe Rusisë, dhe hezitimin e BE-së për ta zgjeruar bllokun, në këtë moment, do të duhen vite që Serbia të mund të anëtarësohet në BE, me kusht që, natyrisht, Serbia ta njohë së pari Kosovën, e cila nuk është njëherë në horizont.

Ben-Meir: Qeveria Kurti të fokusohet në çështje të brendshme

Reporteri.net: Ndërrojmë pak temë. Kosova vazhdon të mos jetë e anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare. Pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, por edhe vende tjera. Çfarë të bëjë Kosova që të sigurojë njohje të reja, që edhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare?

Ben-Meir: Edhe pse është e rëndësishme që Kosova t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare dhe të kërkojë njohje të mëtejshme nga vendet e tjera, duhet të kujtojmë se Kosova tashmë është njohur nga mbi 100 vende, duke përfshirë shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-në. Ajo ku qeveria Kurti duhet të fokusohet janë çështjet e brendshme, veçanërisht zhvillimet ekonomike, çështjet e të drejtave të njeriut, eliminimi i korrupsionit dhe sigurimi i një gjyqësori të pavarur. Statusi i Kosovës matet dhe do të matet me fuqinë e saj të brendshme dhe marrëdhëniet e saj të mira fqinjësore, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë. Vetëm një Kosovë e fortë brenda vendit do të çonte në njohje më të mëdha, do të hapte derën për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe do të dobësonte pretendimet e Serbisë ndaj vendit.

Ben-Meir: Kosova nuk duhet ta lejojë veten të bëhet peng i mungesës së zgjidhjes me Serbinë

Reporteri.net: Kosova dhe Serbia vazhdojnë sagën e vjetër, duke mos gjetur pajtueshmëri për marrëveshje. Dialogu, po ashtu ka ngecur. A mendoni se ka ardhur koha për një marrëveshje përfundimtare, apo, nuk duket fare në horizont?

Ben-Meir: Përderisa Rusia vazhdon të bllokojë njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe përderisa Moska dëshiron ta pengojë Serbinë të anëtarësohet në BE, do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Marrë parasysh këtë, Prishtina duhet të jetë e hapur që të krijojë transaksione me Serbinë në çdo nivel përderisa një bashkëpunim i tillë nuk rrezikon pavarësinë e saj. Kosova nuk duhet ta lejojë veten të bëhet peng i mungesës së zgjidhjes me Serbinë, gjë që është pikërisht ajo që duan Beogradi dhe Moska.

Reporteri.net: Si e shihni rolin e SHBA-së në këtë pikë. A mendoni se presidenti Joe Biden do të përfshihet për ta çuar përpara këtë çështje?

Ben-Meir: E dimë se Biden ka një afinitet të fortë me Kosovën, por duke pasur parasysh preokupimin e tij me çështjet kryesore të brendshme në SHBA, veçanërisht pandeminë dhe legjislacionet e ndryshme që ai dëshiron të miratojë, ai padyshim që do t’i kushtojë më pak vëmendje çdo çështjeje të marrëdhënieve me jashtë, që nuk është urgjente. Siç e theksova edhe më herët, Kurti duhet të ndjekë këshillën e SHBA-së për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë, vetëm deri në një masë të mundshme pa iu nënshtruar kërkesave të Serbisë.

Reporteri.net: Furnizimi i Serbisë me armë nga Rusia po konsiderohet rrezik për Ballkanin, është kërkuar gjithashtu ndërhyrja e SHBA-së dhe BE-së. Si e komentoni këtë?

Ben-Meir: Vendimi i Putinit për ta furnizuar me armë Serbinë, është llogaritur për të ndikuar më shumë te Serbia, sepse me këto furnizime me armë vijnë edhe trajnerë, furnizime të vazhdueshme me pjesë këmbimi etj., gjë që i mundëson Rusisë të mbajë një prani të vazhdueshme të personelit ushtarak në Serbi. Kjo, për mendimin tim, ka implikime më të mëdha politike sesa një kërcënim ushtarak. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të BE-së apo SHBA-së, lidhur me furnizimet me armë ndaj shteteve të tjera të Ballkanit. Ajo që BE-ja duhet të bëjë në vend të kësaj është të përshpejtojë procesin e integrimit të shteteve ballkanike, e cila në të vërtetë është mënyra e vetme për të parandaluar rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Turqisë në Ballkan.

Ben-Meir: BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë skemave të Erdoganit

Reporteri.net: Për fund, Presidenti i Turqisë, Erdogan vizitoi Shqipërinë më 17 janar. Ai para vizitës tha se synon të zgjerojë tregtinë mes dy vendeve. Si e shihni vizitën e z.Erdogan në Tiranë dhe çfarë mendimi keni për lidhjet e ngushta të Shqipërisë me Turqinë?

Ben-Meir: Duhet të dihet tashmë se agjenda kryesore e Erdoganit në shtetet ballkanike është zgjerimi i ndikimit të tij, pasi ai i sheh këto vende si pjesë përbërëse të sferës legjitime të ndikimit të Turqisë, (à la) alla Perandorisë Osmane. Prandaj, ndërkohë që Shqipëria do që të ketë marrëdhënie të mira me çdo vend në rajon dhe më gjerë, duhet të jetë e kujdesshme që të mos i lërë peng një fuqie të huaj të uritur siç është Turqia nën Erdoganin, i cili dëshiron të dominojë dhe të përdorë financat e tij dhe ndërtimin e projekteve të mëdha si mjete për këtë qëllim. Për më tepër, Erdogani dëshiron të parandalojë hyrjen e Shqipërisë në BE dhe një mënyrë për ta bërë këtë, është duke demonstruar se ai është i gatshëm të zgjerojë tregtinë e Turqisë dhe marrëdhëniet e tjera me Shqipërinë. BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë skemave të Erdoganit dhe të fillojë procesin e integrimit për t’u dhënë shpresë shqiptarëve se e ardhmja e tyre varet nga BE-ja, duke parandaluar që Erdogani të ushtrojë ndikim të padrejtë në derën e pasme të Evropës. /Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!