Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Luginën e Preshevës, ndërsa pati takime me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe garantoi mbështetjen e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj bëri të ditur se zhvilloi takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Bajaziti, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Sipas kreut të shtetit, në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë të mbështesin të rinjtë e zonës.
Më tej, Begaj u bëri thirrje liderëve politikë të bashkohen sa herë që bëhet fjalë për interesin kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Presidenti garantoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë adresimin e çështjeve që lidhen me përfaqësimin në institucione, pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë “avokat” i të drejtave të shqiptarëve të Luginës në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare.
Postimi i kreut të shtetit:
Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë.
Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme.
I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.
I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.