Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se largimi i punonjësve të lidhur me ish-strukturat paralele serbe nuk mund të bëhet i tëri përnjëherë, pasi procesi kërkon respektimin e procedurave ligjore.
Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, në seancën e sotme të Kuvendit, Kurti tha se Qeverisë nuk i mungon vullneti politik për ta përfunduar këtë proces, por se zbatimi duhet të bëhet në përputhje me ligjin.
Sipas Kurtit, largimet e bëra në kundërshtim me procedurat mund të çojnë në rikthimin e punonjësve në vendet e punës dhe në detyrimin e institucioneve për të paguar dëmshpërblime.
“Nuk kemi mundur t’i largojmë të gjithë përnjëherë. Vullneti i kësaj qeverie nuk mungon. Nuk duhet të dyshoni në vullnetin e një qeverie që për herë të parë dhe më në fund i ka shpallur organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut”, tha Kurti.
Ai theksoi se, pavarësisht vullnetit politik, institucionet duhet t’i respektojnë procedurat dhe ligjet në fuqi.
“Nëse ne nxitojmë në zbatimin e vullnetit, atëherë organet e ndryshme shtetërore t’i rikthejnë në punë dhe duhet të paguash dëmshpërblim. Vonesa nuk është mungesë e vullnetit, por vonesa është vonesë e procedurave të mekanizmave të tjerë shtetërorë”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se Qeveria synon që të gjithë punonjësit e lidhur me ish-strukturat paralele të largohen sa më shpejt, por shtoi se procesi nuk mund të përfundojë menjëherë.
“E gjithë kostoja është e tyre dhe jo e vullnetit politik. Besoj se inkuadrimi i tyre nuk është bërë prej nesh dhe largimi i tyre po bëhet pikërisht prej nesh, por jo të gjithë përnjëherë”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti paralajmëroi se largimet në kundërshtim me ligjin mund ta vështirësojnë edhe më shumë situatën, pasi punonjësit mund të rikthehen në vendet e punës përmes procedurave përkatëse.
“E para nuk është e mundshme, e dyta, nëse e bën kundërligjshëm, t’i rikthejnë në vendet e punës dhe bëhet dyfish më keq”, tha Kurti.