×
  • Lajme
  • Lajme

    Ben-Meir: Bideni ka afinitet me Kosovën, por mund t’i kushtojë më pak vëmendje marrëdhënieve

    Reporteri
    18 Janar 2022 | 13:00

    Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka folur për ngecjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për mundësinë e njohjeve të reja e po ashtu edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai ka thënë se për t’i arritur synimet e veta, Kosova, përkatësisht Qeveria Kurti, duhet të fokusohet në çështje të brendshme.

    Edhe pse është e rëndësishme që Kosova t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare dhe të kërkojë njohje të mëtejshme nga vendet e tjera, duhet të kujtojmë se Kosova tashmë është njohur nga mbi 100 vende, duke përfshirë shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-në. Ajo ku qeveria Kurti duhet të fokusohet janë çështjet e brendshme, veçanërisht zhvillimet ekonomike, çështjet e të drejtave të njeriut, eliminimi i korrupsionit dhe sigurimi i një gjyqësori të pavarur. Statusi i Kosovës matet dhe do të matet me fuqinë e saj të brendshme dhe marrëdhëniet e saj të mira fqinjësore, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë. Vetëm një Kosovë e fortë brenda vendit do të çonte në njohje më të mëdha, do të hapte derën për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe do të dobësonte pretendimet e Serbisë ndaj vendit”, tha Ben-Meir në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Ai shton se përderisa Rusia vazhdon të bllokojë njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe përderisa Moska dëshiron ta pengojë Serbinë të anëtarësohet në BE, do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    “Marrë parasysh këtë, Prishtina duhet të jetë e hapur që të krijojë transaksione me Serbinë në çdo nivel përderisa një bashkëpunim i tillë nuk rrezikon pavarësinë e saj. Kosova nuk duhet ta lejojë veten të bëhet peng i mungesës së zgjidhjes me Serbinë, gjë që është pikërisht ajo që duan Beogradi dhe Moska”, tha Ben-Meir.

    Profesori Ben-Meir foli edhe për rolin e presidentit Joe Biden në raport me Kosovën.

    E dimë se Biden ka një afinitet të fortë me Kosovën, por duke pasur parasysh preokupimin e tij me çështjet kryesore të brendshme në SHBA, veçanërisht pandeminë dhe legjislacionet e ndryshme që ai dëshiron të miratojë, ai padyshim që do t’i kushtojë më pak vëmendje çdo çështjeje të marrëdhënieve me jashtë, që nuk është urgjente. Siç e theksova edhe më herët, Kurti duhet të ndjekë këshillën e SHBA-së për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë, vetëm deri në një masë të mundshme pa iu nënshtruar kërkesave të Serbisë”, u shpreh ai. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!