Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës edhe për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Berisha ka thënë se, pas dënimeve të ish-drejtuesve të UÇK-së, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se askush nuk është kundër ndëshkimit të krimeve, por sipas tij, krahasimet e bëra dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik.

Reklamë

“Gjatë këtyre ditëve të fundit, pas dënimeve të papritura të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga gjykata e Kosovës në Hagë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë. Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik”, ka thënë Berisha.

Duke bërë një krahasim me dënimet e dhëna nga Tribunali i OKB-së në Hagë, Berisha ka përmendur ish-komandantin e Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviç, dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniç.

“Për shembull, Tribunali i OKB-së në Hagë dënoi komandantin e Korpusit të Prishtinës, z. Vladimir LAZAREVIÇ, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, z. Dragoljub OJDANIÇ, me nga 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë Operacionit “Patkoi” në Prishtinë.”

Berisha ka kritikuar edhe bazën mbi të cilën, sipas tij, janë dënuar ish-drejtuesit politikë të Kosovës.

“Në të kundërt, drejtuesit politikë të Kosovës u dënuan me një total prej 84 vitesh burg, bazuar në një zinxhir komandimi që ata nuk e kanë pasur kurrë në mënyrë të strukturuar.”

Reklamë

Ai ka pretenduar gjithashtu se dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara kanë ndjekur “linja të qarta etnike”, duke kërkuar që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë rastet në mënyrë, siç tha ai, më objektive.

“Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive.”

Berisha ka folur edhe për Srebrenicën dhe Serbinë, duke kritikuar qëndrimet e Beogradit dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike.”

Reklamë

“Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i z. Aleksandar VUÇIÇ, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e z. Ratko MLLADIÇ.”

Në fund, Berisha ka kërkuar që Këshilli i Evropës të ndërmarrë veprime lidhur me këto çështje.

“Besoj se ky institucion duhet të ndërmarrë veprime të qarta kundër këtyre rreziqeve.”