BIRN Kosova ka reaguar sërish ndaj drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili i cili sot publikoi një dokument, lidhur me emisionet e BIRN dhe Jeta Xharrës në vitin 2017 e që sipas tij, në vitin 2017, Jeta Xharra brenda ditës ka arritur të bëjë marrëveshje me RTK-në në vlerë 80 mijë euro.
BIRN po pretendon se nuk ka bërë kontrata përmes procedurave të parregullta dhe janë shprehur se ndaj tyre po bëhet një fushatë e sponsorizuar nga “parapolitika dhe grupe të bizneset korruptive”.
“Në vitin 2017, Radiotelevizioni i Kosovës në faqen zyrtare kishte të publikuar thirrjen për angazhimin e produksioneve të pavarura. Kjo thirrje ka qenë e hapur vazhdimisht në RTK dhe mbi bazën e saj televizioni publik ka angazhuar produksione të jashtme.BIRN ka aplikuar për vazhdimin e programit dhe komisioni profesional ka vlerësuar nevojën për bashkëpunim. Sipas rregullave të RTK-së, procesi më pas ka kaluar në Zyrën e Prokurimit dhe kontrata është nënshkruar më 6 korrik 2017 për një afat njëvjeçar.Shpifjet e z. Halili janë ritransmetuar, pa verifikim, nga disa media që po mbështesin një fushatë të organizuar shpifjesh ndaj emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, fushatë e sponsorizuar nga aktorë të parapolitikës dhe grupe të bizneseve korruptive.”, thuhet në reagim.
BIRN sërish ka kërcënuar me padi Arsim Halilin dhe Ngadhnjim Kastratin.
“BIRN është në fazën e përgatitjes së padive për shpifje ndaj Arsim Halilit dhe Ngadhnjim Kastratit, të cilët kanë shpifur në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve. Kjo fushatë përpos që pretendon se BIRN ka nënshkruar kontratë përmes procedurave të parregullta, po dezinformon duke shpifur se Jeta Xharra i ka “rruar” ose “vjedhur” këto mjete të RTK-së për vete, duke e heshtur faktin se ato mjete janë harxhuar per t’i mbuluar shpenzimet e një ekipi profesionistësh me rreth 70 persona.”, thuhet tutje në reagim.
Në vazhdim të reagimit është thënë se ekipi i tyre është më i shpërblyeri në gazetari hulumtuese në Kosove e rajon.
“Shpenzimi i të gjitha mjeteve me të cilat janë prodhuar emisionet janë audituar, gjë që tregon se nuk është përdorur për të gjeneruar profit as për Jeta Xharrën e as për ndonjë individ tjetër.BIRN u bën thirrje të gjitha mediave që para publikimit të përmbajtjeve dhe pretendimeve të secilit aktor, të ofrojnë mundësinë për përgjigje nga BIRN për pretendime të tilla.”, përfundon reagimi.