Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla sot nuk morën votat e mjaftueshme për kryeparlamentare. Në seancën e sotme për herë të parë që nga 15 prilli, VV-ja propozoi një emër të ri, atë të Donika Gërvallës. Pasi edhe Gërvalla s’mori votat e mjaftueshme, seanca u shty për të premten.
Pas seancës, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu tha se propozimi për Donika Gërvalla u bë pasi ajo është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, përcjell Reporteri.net.
Sipas Haxhiut, Gërvalla është person i rëndësishëm dhe se si VV kanë menduar se ky propozim do të kalojë. Ajo po ashtu tha se me sot u konfirmua se problem s’ka qenë emri i saj, por vetë VV-ja.
E dilema për procesin e votimit ngriti deputetja e PDK-së, Blerta Deliut. Ajo ka pyetur se si u bënë 57 vota për, për Donika Gërvallën, meqë Shqipe Selimi votoi kundër.
“Edhe Shqipe Selimi e di pse Donika Gërvalla nuk i mori votat sot. Por, si u bën 57 vota sot në Kuvend, meqë Shqipja nuk e votoi? Ju lutem, ndalni më këto lojëra e taktika të poshtra manipulimi e kthejuni seriozitetit. Propozojeni një kandidat, i/e cila e dini se i merr votat – e mjaftë më me bllokada!”, ka shkruar Deliu./Reporteri.net/
