×
  • Lajme
  • Lajme

    “Bombë” në Aeroportin e Prishtinës – Si u testua siguria një ditë para kthimit të 110 kosovarëve nga Siria

    Reporteri
    23 Prill 2019 | 15:57

    Autor: Mentor Gjergjaj


    Vetëm një ditë para se të riatdhesoheshin 110 kosovarë nga Siria, përfshirë katër ish-luftëtarë të ISIS-it, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë testuar sigurinë në aeroportin e Prishtinës, përmes një bombe të simuluar.


    Një bombë e detektuar nga skanerët e sigurisë në Aeroportin e Prishtinës ka alarmuar përgjegjësit e aeroportit, mesditën e të enjtes së shkuar.

    Bomba e montuar në një televizor që u vërejt në skaner, u gjet në zonën doganore të Aeroportit Ndërkombëtare të Prishtinë – e njohur si ‘Cargo’, shkruan Reporteri.net.

    Sigurimi i aeroporti dhe policët përreth u vunë në alarm.

    Por, vetëm pak minuta më pas u kuptua se gjithçka ishte e stimuluar. Ata, u vunë në një test nga organet e sigurisë në vend, që këtë herë rezultoi i suksesshëm.

    Gjithçka ndodhi vetëm një ditë para se në të njëjtën zonë të Aeroportit “Adem Jashari” të ateronte një aeroplan ushtarak i SHBA-ve, që ktheu në Kosovë 110 kosovarë nga kampet e luftës në Siri.

    Në mesin e të kthyerve, të premten mbrëma, që shumica ishin fëmijë dhe gra, ishin edhe katër ish-luftëtarë të ISIS-it që u dërguan në paraburgim. Rrezikshmëria e këtyre të fundit u konsiderua e lartë për autoritetet kosovare.

    Por, eksplozivi nuk ishte i vetmi test që Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës kryen të njëjtën ditë ndaj sigurimit të Aeroportit të Prishtinës.

    Në disa pika tjera të kontrollit, ata provuan të kalojnë edhe dy thika, përmes personave të infiltruar, të cilat po ashtu u detektuan nga skanerët.

    Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Aeroportit të Prishtinës nuk kanë folur të martën për Gazetën Online “Reporteri.net”, në lidhje me këtë test.

    Sipas zëdhënëses Valentina Gara sqarimet për këto teste mund t’i japë vetëm Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Sa i përket çështjeve të sigurisë duke përfshirë testet, pyetjet tuaja ju lutem ti dërgoni në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Gara me e-mail.

    Ndërkohë, në MPB thonë se testi në fjalë është organizuar nga ana e autoritetit të Aeroportit dhe në përputhje me planin e punës së tyre dhe ishte organizuar vetë nga ana këtyre të fundit. Megjithatë, në përgjigjen e MPB-së konfirmohet testi i së enjtes, ndonëse për të nuk japin sqarime.

    “Ministria e Punëve të Brendshme bazuar në Ligjin për Aviacionin Civil të Republikës së Kosovës është përgjegjëse për krijimin, mbajtjen, dhe mbikëqyrjen e sigurimit të aviacionit civil në Republikën e Kosovë, ndaj akteve të ndërhyrjeve të pa ligjshme në pajtim me legjislacionin që është në fuqi. Lidhur me pyetjen tuaj, MPB-ja nuk ka organizuar sot (18.04.2019) teste të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, mirëpo këto teste janë organizuar nga ana e autoritetit të aeroportit në përputhje me planin e punës, dhe me qellim të kontrollit të kualitetit dhe si i tillë ky aktivitet është pjesë e punës së përditshme të aeroportit”, thuhet në përgjigjen më e-mail të MPB-së për Reporteri.net.

    Edhe nga Policia e Kosovës kanë thënë se testet e tilla iniciohen nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe sipas tyre, ata kanë kompetencë të deklarohen për këtë rast.

    Sidoqoftë, testet e tilla të sigurisë kryhen kohë pas kohe në Aeroport dhe në institucione tjera. Sistemi i sigurisë në dy organizmat ajrorë, në Aeroportin e Prishtinës dhe në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, para më shumë se një viti kishte dështuar në një testim të tillë të bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Të dy këto organizma nuk kishin arritur të detektojnë personat e infiltruar, që të armatosur kishin arritur t’i kalojnë të gjitha sistemet e sigurisë.

    E një test të tillë, verën e vitit të shkuar kishe dështuar ta kalojë edhe sigurimi i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Në Zyrën e Kryeministrit, në gusht të vitit 2018, kishte arritur një pako nga “Xhorxh Majkëll”, në të cilën kishte një “dhuratë” hiç më pak se dy kilogramë eksplozivë të llojit tritol, që në fakt ishte simulim për të testuar sigurinë që kësaj here kishte dështuar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!