“Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kishte probleme me mikrofonin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork”. Kështu raportuan mediat turke, teksa ai fliste për Palestinën dhe masakrat që vazhdojnë në Gaza. Audio u ndal sipas mediave, të cilat pretenduan se ishte një sabotim i qëllimshëm.
Por, në një reagim të saj, Drejtoria e Komunikimit e Turqisë sqaroi se presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk iu ndërpre fjala mbi Palestinën gjatë samitit të Asamblesë së OKB-së.
“Fjalimeve të kryetarëve të shteteve dhe qeverive u jepen 5 minuta, ndërsa folësve të tjerë u jepen 3 minuta”, thuhet në njoftim.
Ashtu si me krerët e tjerë të shteteve, limiti i Presidentit Erdogan ishte pesë minuta. Aty thuhej po ashtu se ka pasur ndërprerje për shkak të duartrokitjeve në disa momente, ndërsa Presidenti Erdogan po fliste, dhe sipas procedurave teknike, mikrofoni u fik automatikisht në fund të minutës së pestë.
“Presidenti e përfundoi fjalimin e tij menjëherë pas kësaj. Ngjashëm, mikrofoni i Presidentit të Indonezisë u fik gjithashtu me të njëjtën procedurë”, përfundon deklarata e Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë.