Ahmed Yousef, figura e njohur brenda radhëve të Hamasit dhe intelektuali me lidhje të forta ndërkombëtare, ka dhënë një intervistë për median italiane La Repubblica, për të pasqyruar ndoshta të ardhmen politike dhe ushtarake të lëvizjes.

Ai konfirmon përmes kësaj interviste se nuk ka hequr dorë nga organizata, por shpreh bindjen se një tranzicion drejt politikës dhe partisë është i mundur, por vetëm pas një procesi të qartë dhe të garantuar çarmatosjeje.

Yousef e përshkruan situatën aktuale si një “katastrofë” dhe shprehet se sulmi i 7 tetorit ishte një “gabim i madh” që, sipas tij, u përdor nga qeveria izraelite si pretekst për një fushatë shfarosjeje që rrezikon dëbimin e palestinezëve nga Gaza.

Reklamë

Një nga pikat kyçe të intervistës është kërkesa e Yousef për garanci ndërkombëtare si kusht absolut për dorëzimin e armëve nga strukturat e Hamasit. Ai i referohet shembullit irlandez si një proces të gjatë dhe të paplotë të çarmatosjes, duke paralajmëruar se pa sigurime konkrete dhe mekanizma mbrojtjeje, palestinezët nuk do të besojnë ta braktisin arsenalin e tyre. Sipas tij, çarmatosja nuk mund të jetë “e negociueshme” nëse nuk është e shoqëruar nga garantici reale për sigurinë.

Rruga drejt transformimit politik, nga një strukturë e armatosur drejt një partie politike brenda një arkitekture më të gjerë të OLP-së, është një tjetër temë kryesore. Yousef deklaron se Hamas duhet të përfshihet në një proces të ndarjes së pushtetit dhe të bëhet pjesë e skenës politike, nëse pranohet një marrëveshje që garanton të drejta dhe siguri për popullin palestinez. Ai shfaq optimizëm se në të ardhmen, edhe nëse momentalisht shumica ndërkombëtare dhe rajonale refuzojnë pranimin e Hamasit, do të mund të lindë një realitet i ri politik.

Përballë akuzave për ekzekutime publike dhe abuzime të rendit ligjor në Gaza, Yousef pranon se ka veprime të paligjshme dhe thekson nevojën për procedura gjyqësore në vend të ekzekutimeve pa proces. Ai argumenton se tensionet e luftës dhe kushtet e jashtëzakonshme kanë krijuar situata ku ndodhin abuzime, por shpreh synimin për të ndërtuar mekanizma ligjorë dhe institucione që funksionojnë. Këto, do të jenë pjesë e tranzicionit drejt jetës civile dhe politike.

Në lidhje me zgjidhjen politike të konfliktit, Yousef shpreh se nuk është kundër idesë së dy shteteve, por mendon se zgjidhja e një shteti të vetëm që garanton bashkëjetesën mund të ketë shtresa logjike që rrisin shanset zgjidhjes reale, pasi reflekton mënyrën dhe format e pranueshme të sovranitetit dhe të drejtave qytetare.

Ko intervistë e Yousef për La Repubblica, mund të jetë një tregues se brenda Hamasit ekzistojnë zëra që kërkojnë tranzicion. Por, vetë ai pranon se një proces i tillë do të jetë shumë i gjatë, i vështirë dhe plot pasiguri.

Reklamë