Disa nga viktimat e Jeffrey Epstein dhanë dëshmi emocionale të abuzimit seksual të mërkurën, duke folur në shkallët e Kapitolit amerikan dhe duke kërkuar nga ligjvënësit publikimin e më shumë dokumenteve lidhur me financierin e dënuar për krime seksuale.
Lisa Phillips tha se grupi i tyre po përgatit një listë të besueshme të bashkëpunëtorëve të Epstein, të cilët sipas tyre ishin të përfshirë në abuzime.
“Do t’i përgatisim emrat në mënyrë konfidenciale, nga dhe për mbijetuesit”, tha ajo.
Ngjarja u organizua nga ligjvënës amerikanë që kërkojnë publikimin e dokumenteve të hetimeve mbi Epstein. Gjatë një konference dy-orëshe për media, nëntë gra rrëfyen përvojat dhe abuzimet që kanë pësuar nga Epstein.
Phillips bëri thirrje tek Departamenti i Drejtësisë që të publikojë të gjitha dokumentet, duke theksuar se shumë viktima kanë frikë nga pasojat nëse do të zbulonin emrat vetë. Avokati i akuzuesve shtoi se viktimat kanë frikë të padisin ose sulmohen, sepse “askush nuk i mbrojti herën e parë”.
Ndërkohë, Marina Lacerda foli publikisht për herë të parë, duke treguar se punoi për Epstein nga mosha 14 deri në 17 vjeç, kur sipas saj financieri e konsideroi “të madhe”.
“Isha një nga dhjetëra vajzat që u detyruan të shkonin në shtëpinë e Jeffrey-t në Neë York City kur ishim ende fëmijë. Një shoqe më tha se mund të fitonim 300 dollarë duke i bërë një masazh një djali tjetër. Nga një ëndërr pune, u bë makthi më i keq”, tha ajo.
Annie Farmer, 46 vjeçe, tha se ishte dërguar në Neë Mexico në moshën 16-vjeçare për një fundjavë me Epstein. Motra e saj gjithashtu raportoi abuzimin, por nuk u ndërmor asgjë.
Chauntae Davies iu referua raportimeve mbi marrëdhënien e Trump me Epstein, duke thënë se “Epstein gjithmonë krenoheshe se ishte shumë mik me Donald Trump”. Trump, nga ana e tij, mohoi ndonjë përfshirje.
Sipas Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, Departamenti i Drejtësisë ka rreth 100 mijë faqe dokumente mbi Epstein, por pjesa më e madhe e materialeve të publikuara deri tani ishin tashmë publike. Dy ligjvënës, republikan dhe demokrat, po përpiqen të detyrojnë votim për publikimin e të gjitha dokumenteve, por përballen me kundërshtim nga Shtëpia e Bardhë dhe liderët republikanë, të cilët shqetësohen për ekspozimin e identitetit të viktimave që nuk duan të dalin publikisht.