Pas zhvillimeve të fundit politike në Shtetet e Bashkuara dhe fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, pasojat kanë nisur të ndihen edhe në tregtinë e karburanteve. Disa anije cisternë të ngarkuara me naftë dizel ruse, të destinuara për tregun amerikan, kanë ndryshuar itinerarin dhe nuk po drejtohen më drejt Amerikës së Veriut.

Anija e fundit që ndryshoi kursin ishte “Agioi Fanendes”, me flamur maltez, e cila transportonte rreth 40 mijë tonë naftë dizel. Para saj, të njëjtën gjë kishin bërë edhe anijet “Talisman” dhe “Leruo”, kjo e fundit e përfshirë në listën e sanksioneve evropiane dhe amerikane.

Sipas të dhënave, asnjëra prej ngarkesave të nisura më 27 tetor nga Gjiri i Finlandës nuk duket se do të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara. Kjo situatë vë në pikëpyetje marrëveshjen mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për furnizimin e tregut amerikan me naftë dizel ruse, me synimin për të ndikuar në uljen e çmimeve të karburantit.

Reklamë

Tri anijet e nisura rreth dy javë më parë nga një port pranë Shën Petersburgut ndodhen aktualisht në det të hapur dhe janë në pritje të një destinacioni të ri. Një nga arsyet që mund të ketë ndikuar në këtë situatë janë edhe kundërshtimet e disa shteteve amerikane përgjatë bregut lindor për të pranuar furnizimet me karburant nga Rusia.

Ndërkohë, Rusia po përballet me një krizë gjithnjë e më të madhe të karburantit. Sulmet e fundit ukrainase kanë goditur disa prej objekteve kryesore të industrisë energjetike ruse. Natën mes 8 dhe 9 nëntorit, një prej objektivave ishte rafineria “Kirishinefteorgsintez”, e dyta më e madhe në vend për nga kapaciteti i përpunimit të naftës.

Pas këtyre sulmeve, autoritetet ruse kanë rikthyer kufizimet për blerjen e karburantit. Sipas masave të reja, qytetarët mund të blejnë deri në 30 litra karburant në qytete dhe 50 litra në autostrada. Gjithashtu, është ndaluar mbushja e bidonëve dhe e enëve të tjera me karburant.

Vlerësimet tregojnë se rreth 30 për qind e kapacitetit të rafinimit të naftës në Rusi aktualisht është jashtë funksionit. Edhe pse disa rafineri arrijnë të rikthejnë prodhimin pas riparimeve, sulmet e përsëritura po i bëjnë ato gjithnjë e më të cenueshme dhe rrisin rrezikun e dëmeve të mëdha.

Për këtë situatë ka paralajmëruar edhe Mikhail Khodorkovsky, ish-biznesmen i njohur rus i industrisë së naftës, i cili aktualisht jeton jashtë Rusisë si disident. Sipas tij, çdo valë e re sulmesh dobëson më tej rafineritë ruse dhe rrit mundësinë e një incidenti të rëndë.

Reklamë

Ndërsa në Kiev, bombardimet e vazhdueshme kanë lënë lagje të tëra pa ujë, energji elektrike dhe ngrohje, edhe Moska po përballet me vështirësi serioze në sektorin energjetik dhe furnizimin me karburant.