Një armëpushim ka hyrë në fuqi në qytetin e Oleshkyt, nën pushtimin rus në Ukrainë, një javë pasi ishte njoftuar nga Zonja e Parë e ShBA-së, Melania Trump.

Marrëveshja synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve që kanë mbetur në qytet, ku banorët përballen me mungesa të mëdha të ushqimit dhe furnizimeve të tjera jetike, raporton BBC.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes Telegramit se kishte ndalur zjarrin në drejtim të qytetit ukrainas të Khersonit në orën 04:00 sipas kohës së Moskës, përkatësisht në orën 01:00, në kuadër të përgatitjeve për operacionin humanitar.

Reklamë

Oleshky ndodhet në bregun jugor të lumit Dnipro, i cili shënon vijën e frontit në rajonin e Khersonit. Banorët e mbetur në qytet kanë kohë që përballen me mungesë të theksuar të ushqimit dhe artikujve të tjerë bazë.

Fillimin e armëpushimit e konfirmoi edhe komisioneri ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Oleshky u pushtua nga forcat ruse në ditët e para të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Mbetet të shihet nëse armëpushimi do të mundësojë realizimin e plotë të operacionit humanitar dhe evakuimin e sigurt të civilëve nga zona e prekur nga luftimet.