Autoritetet pakistaneze e kanë arrestuar të mërkurën Hafiz Saeed-in, i cili dyshohet për organizimin e sulmeve katërditore në Mumbai të Indisë në vitin 2008. Ai gjithashtu akuzohet për financim të terrorizmit.
Arrestimi i tij erdhi disa ditë para vizitës së planifikuar të kryeministrit pakistanez, Imran Khan, në Shtetet e Bashkuara. Ai më parë është zotuar se do t’i shtypë grupet militante që veprojnë në Pakistan.
Saeed, i cili cilësohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara, është themelues i grupit militant “Lashkar-e-Taiba”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Ushtria e të pastërve”. Ai fajësohet nga India dhe Shtetet e Bashkuara për sulmet në Mumbai, në të cilat mbetën të vrarë mbi 160 njerëz.
Megjithatë, ai e ka mohuar përfshirjen në këto sulme dhe tha se rrjeti i tij, në të cilin bëjnë pjesë 300 medrese dhe shkolla, disa spitale, një shtëpi botuese dhe shërbime shëndetësore, nuk ka lidhje me grupet e armatosura.
Një zëdhënës i qeverisë lokale tha se Saeed u arrestua afër qytetit Gujranwala, i cili shtrihet në pjesën qendrore të Pakistanit.
Përndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar 10 milionë dollarë si shpërblim për ata që ofrojnë dëshmi për fajësinë e këtij personi për sulmet në Mumbai të Indisë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.