×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Bill Gates para Kongresit Amerikan: S’duhet ta takoja Epsteinin, por s’kam bërë asgjë të gabuar

    Reporteri
    10 Qershor 2026 | 19:39

    Bill Gates ka deklaruar gjatë një dëshmie me dyer të mbyllura në Kongresin e Shteteve të Bashkuara se “nuk duhej ta kishte takuar kurrë” Jeffrey Epstein, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aktivitet kriminal dhe nuk ka pasur dijeni për veprimtari të paligjshme të financierit të ndjerë.

    Sipas deklaratave të cituara nga mediat amerikane, përfshirë CNN dhe The Neë York Times, Gates ka nënvizuar se nuk ka qenë kurrë në ishullin privat të Epsteinit, as në fermën apo shtëpitë e tij në Florida, duke shtuar se nuk ka dëmtuar askënd.

    Ai ka pranuar se çdo lidhje me Epstein sot shihet si gabim, edhe nëse në atë kohë mund të jetë parë si një kontakt për arsye profesionale apo filantropike, e lidhur me Bill & Melinda Gates Foundation. Gates gjithashtu ka deklaruar se nuk ka qenë i interesuar për marrëdhënie personale me Epstein dhe nuk ka pasur miqësi të madhe me të.

    Gjatë dëshmisë, ai ka theksuar gjithashtu se është i vetëdijshëm për dëmin nga ana e reputacionit që këto lidhje kanë shkaktuar, si për të personalisht ashtu edhe për fondacionin e tij, duke shtuar se synon të ndihmojë hetimin për të sjellë drejtësi për viktimat e Epstein.

    Gates u shpreh publikisht se ishte i gatshëm të bashkëpunonte vullnetarisht me hetimin, i cili po shqyrton marrëdhëniet e ndryshme të Epstein me figura të njohura publike dhe financiare.

    Në hetim, ligjvënësit do të përpiqen të kuptojnë natyrën e marrëdhënies mes Bill Gates dhe Jeffrey Epstein, e cila ka dëmtuar imazhin jo vetëm të bashkëthemeluesit të Microsoft-it, por edhe të Bill & Melinda Gates Foundation.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!