Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, po përballet me fazën përfundimtare të një gjyqi historik në Gjykatën e Lartë, ku akuzohet për organizimin e një përpjekjeje për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2022 ndaj rivalit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva.
Së bashku me shtatë bashkëpunëtorë të afërt, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes dhe drejtues të forcave të armatosura, Bolsonaro akuzohet për pesë vepra penale të rënda, përfshirë drejtimin e një organizate kriminale të armatosur, përpjekje për përmbysjen e rendit demokratik, grusht shteti të dështuar, dëmtim të pronës federale dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore. Provat e paraqitura nga policia përfshijnë biseda të përgjuara, takime në rezidencën presidenciale dhe planifikime të hershme që datojnë që nga viti 2019.
Një nga akuzat më të rënda lidhet me pretendimin se Bolsonaro kishte dijeni për një plan për të vrarë presidentin e zgjedhur Lula dhe një gjyqtar të Gjykatës së Lartë. Ai dyshohet gjithashtu se në dhjetor 2022 u ka paraqitur një plan për grusht shteti komandantëve të ushtrisë, të cilët e refuzuan, përveç komandantit të Marinës, i cili dyshohet se e mbështeti idenë.
Më 8 janar 2023, një javë pas inaugurimit të Lulës, mijëra mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan institucionet më të larta të shtetit në kryeqytetin Brasília, duke vandalizuar godinën e Kongresit, Gjykatën e Lartë dhe Pallatin Presidencial. Bolsonaro u distancua publikisht nga ngjarjet, por vazhdoi të pretendonte, pa prova, se zgjedhjet ishin manipuluar.
Nëse shpallet fajtor, Bolsonaro përballet me mbi 40 vite burg. Aktualisht, ai është në arrest shtëpie, me ndalim udhëtimi dhe i pajisur me pajisje gjurmimi elektronik, pasi autoritetet kanë frikë se mund të arratiset ose të kërkojë azil diplomatik.
Procesi gjyqësor, i udhëhequr nga një trupë prej pesë gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, pritet të përfundojë deri më 12 shtator. Vendimi do të merret me shumicën e votave (3 nga 5 gjyqtarë). Në rast dënimi, Bolsonaro dhe të pandehurit e tjerë kanë të drejtë ta apelojnë çështjen në Gjykatën e Lartë të plotë.
Ndërkohë, Bolsonaro është tashmë i përjashtuar nga kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, për shkak të përpjekjeve për të diskredituar sistemin zgjedhor elektronik pa ofruar prova.