Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, është vënë në qendër të polemikave pasi ndaj saj është depozituar një kallëzim penal nga disa organizata feministe dhe për të drejtat e grave, pas publikimit të një videoje ku ajo dëgjohet duke fyer protestueset feministe gjatë një shfaqjeje teatrale në Paris.

Më shumë se 300 gra, konkretisht 343, një numër me domethënie simbolike për lëvizjen feministe franceze kanë paraqitur kallëzim për fyerje publike ndaj Brigitte Macron.

Ngjarja lidhet me një shfaqje në teatrin Folies Bergère, ku Brigitte Macron ishte e pranishme së bashku me vajzën dhe miq të saj për të ndjekur performancën e aktorit dhe komedianit Ary Abittan, i cili më herët ishte përballur me akuza për përdhunim. Një natë më parë, aktiviste feministe kishin ndërprerë shfaqjen duke brohoritur “Abittan, përdhunues!”, në shenjë proteste kundër asaj që ato e cilësojnë si kulturë mosndëshkimi për dhunën seksuale në Francë.

Reklamë

Në videon e filmuar në prapaskenë, Brigitte Macron, 72 vjeçe, dëgjohet teksa i referohet protestueseve me shprehjen fyese “sales connes” (budallaqe të ndyra), duke shtuar se, nëse do të rishfaqeshin, ato do të nxirreshin jashtë.

Juliette Chapelle, avokate e grupeve feministe që kanë ngritur kallëzimin, deklaroi për radion France Inter se “fjalët e Zonjës së Parë kanë peshë publike” dhe se ekziston një mospërputhje mes angazhimit të saj publik për çështjet e grave dhe deklaratave të kapura në video.

Hetimi për akuzat e përdhunimit ndaj Ary Abittan, i nisur në vitin 2021, u mbyll në vitin 2024 për mungesë provash dhe ky vendim u la në fuqi nga gjykata e apelit në janar të këtij viti.

Në një reagim për median Brut, Brigitte Macron tha se i vjen keq nëse ka lënduar viktimat e dhunës seksuale, duke i cilësuar komentet si private. Megjithatë, ajo shtoi se nuk mund të pendohet për to, duke theksuar se, edhe pse është bashkëshortja e presidentit, mbetet mbi të gjitha vetvetja.

Mes organizatave që kanë ngritur kallëzimin është edhe grupi Les Tricoteuses Hystériques, i themeluar në vitin 2024 gjatë gjyqit më të madh për përdhunim në Francë, ku dhjetëra burra u shpallën fajtorë për abuzime seksuale ndaj Gisèle Pelicot, e droguar nga ish-bashkëshorti i saj.

Reklamë

Numri 343 i paditëseve i referohet një peticioni historik të vitit 1971 për legalizimin e abortit, të nënshkruar nga 343 gra franceze. Ndërkohë, disa figura të njohura publike në Francë kanë shprehur mbështetje për aktivistet e fyera.