×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Burgim i përjetshëm ndaj adoleshentit amerikan për krimin në shkollën në Xhorxhi

    Reporteri
    29 Korrik 2026 | 15:02

    Një adoleshent amerikan është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, pasi vrau katër persona me armë zjarri në një shkollë të mesme në shtetin e Xhorxhias.

    Colt Gray, tashmë 16 vjeç, pranoi fajësinë për sulmin e ndodhur në shtator të vitit 2024 në Apalachee High School në qytetin Winder. Në kohën kur kreu krimin, ai ishte vetëm 14 vjeç.

    Nga të shtënat e armës humbën jetën tragjikisht dy nxënës 14-vjeçarë dhe dy mësues, ndërsa nëntë persona të tjerë mbetën të plagosur. Gray u gjykua si i rritur dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

    Gjatë seancës për shpalljen e dënimit, gjyqtari Nicholas Primm theksoi se sulmi nuk erdhi si pasojë e urrejtjes ndaj viktimave specifike, por nga dëshira e të riut për të fituar famë.

    “Prindërit e tu dështuan ndaj teje, por kjo nuk të shfajëson për zgjedhjet që ke bërë”, u shpreh gjyqtari gjatë seancës.

    Në një proces të veçantë gjyqësor, edhe babai i autorit, Colin Gray, u shpall fajtor për akuza të lidhura me rastin. Sipas hetimeve dhe prokurorisë, ai ishte personi që i kishte blerë të birit një pushkë të tipit AR-15 si dhuratë për Krishtlindjet e vitit 2023, armë e cila u përdor në sulm.

    Prokurorët vërtetuan se babai ishte në dijeni të kërcënimeve të mëhershme të të birit për të kryer një sulm në shkollë. Ky rast përbën një nga zhvillimet më të rralla në sistemin juridik të SHBA-së, ku një prind mban përgjegjësi penale direkte për veprimet e dhunshme të fëmijës së tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!