Hetuesit gjermanë po ndjekin gjurmë që çojnë drejt Serbisë dhe Polonisë, në kuadër të hetimeve për tentativën e sulmit me dronë në aeroportin Leipzig/Halle.
Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, e cila citon burime të sigurisë, një nga të dyshuarit e identifikuar deri më tani lidhet me një tjetër rast sabotimi – sulmin me zjarr ndaj një dyqani të materialeve ndërtimore në qytetin polak Lodz, në korrik të vitit 2024.
Personi në fjalë dyshohet se ka pasur kontakte me shërbimet ruse të inteligjencës.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu lidhjet e mundshme ndërmjet incidentit në Leipzig dhe një rasti të zbulimit të eksplozivit në kufirin serbo-hungarez.
Më 11 qershor, forcat serbe të sigurisë arrestuan dy persona, të cilët kishin me vete pjesë të një droni të modifikuar, pajisje transmetuese për kontrollimin e tij dhe dy kanaçe konservash të mbushura me eksploziv.
Të arrestuarit janë një shtetas serb dhe një person me shtetësi serbe dhe ruse. Të dy ndodhen në paraburgim.
Sipas burimeve pranë hetimit të cituara nga “Der Spiegel”, pjesët e sekuestruara në Serbi kanë ngjashmëri me ato të dronit të zbuluar në aeroportin e Leipzigut.
Në të dyja rastet, eksplozivi ishte vendosur brenda një kanaçeje konservash të lidhur me dronin.
Autoritetet gjermane po shqyrtojnë nëse dy personat e arrestuar në kufirin serbo-hungarez kanë pasur lidhje me një person që dyshohet se ka rol edhe në rastin e Leipzigut.
Tentativa e sulmit në aeroportin Leipzig/Halle ndodhi më 4 gusht. Një dron i pajisur me eksploziv dhe detonator u gjet në afërsi të avionëve ukrainas të transportit. Hetuesit tashmë besojnë se në incident mund të jenë përdorur disa dronë.
Qeveria gjermane ndërkohë ka deklaruar se gjetjet e hetimit tregojnë për përfshirjen e personave që kanë vepruar në emër të institucioneve shtetërore ruse.
Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, tha se autoritetet shohin në këtë rast “modelin e njohur të operacioneve hibride ruse në Evropë”.
Rusia ka mohuar përgjegjësinë për tentativën e sulmit. Ambasada ruse në Berlin i ka cilësuar akuzat si provokim dhe ka akuzuar Gjermaninë për nxitjen e “histerisë antiruse”./kp