Rusia ka pësuar numrin më të lartë të humbjeve të trupave në një ditë të vetme, sipas ushtrisë ukrainase.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi të hënën se, gjatë 24 orëve të fundit, humbjet ruse arritën në 2.980 trupa – një shifër që përfshin si të vrarët, ashtu edhe të plagosurit.

Të dyja palët janë të rezervuara lidhur me humbjet e tyre gjatë luftës; Moska nuk i ka përditësuar shifrat zyrtare që nga shtatori i vitit 2022, kur pranoi se kishte pësuar të paktën 6.000 humbje.

Reklamë

Megjithatë, shifrat e Ukrainës vijnë pas publikimit të të dhënave të qeverisë ruse – të cilat raportohet se janë siguruar përmes një sulmi kibernetik ndaj agjencisë statistikore “Rosstat” – sipas të cilave, deri në 450.000 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Këto pretendime të Ukrainës vijnë gjithashtu në prag të negociatave të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës – të udhëhequra nga SHBA-ja – të cilat nisin të martën në Abu Dabi.

“Newsweek” shkruan se i është drejtuar Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe agjencisë “Rosstat” për një koment.

Cili ishte rekordi i mëparshëm ditor i humbjeve ruse?

Në përditësimin e fundit mbi humbjet e trupave ruse, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës e shoqëroi njoftimin me titullin: “Çdo 29 sekonda – një pushtues më pak”.

Reklamë

Postimi në “Telegram” të hënën iu referua 2.980 ushtarëve të vrarë dhe të plagosur gjatë 24 orëve të fundit, duke theksuar se ky shifër tejkalon rekordin e mëparshëm prej 2.500 humbjesh, të regjistruar më 2 nëntor.

“Kjo shifër është më e madhe se ekuipazhi i gjashtë njësive të anijes luftarake ‘Moskva’ dhe përfaqëson humbjet më të mëdha ditore për Federatën Ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë”, deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, duke iu referuar anijes luftarake që Ukraina e fundosi në Detin e Zi në prill të vitit 2022. /Telegrafi