Një dron që mbante një mjet shpërthyes është gjetur në një aeroport në Gjermani, bëri të ditur policia.
Një robot u përdor në Aeroportin Leipzig/Halle pasi pajisja u zbulua gjatë natës në zonën e operacioneve të ngarkesave, sipas policisë së landit të Saksonisë.
Një objekt i dytë i paidentifikuar u përplas me një avion transporti mallrash, i cili ishte ngritur më vonë nga i njëjti aeroport. Dëme të vogla u konstatuan në avion pasi ai u ul në Hanover.
Në muajt e fundit, në Gjermani janë regjistruar një sërë fluturimesh të paautorizuara me dronë mbi objekte të ndjeshme, përfshirë baza ushtarake, aeroporte, terminale energjetike, porte detare dhe kompani logjistike.
Aeroportet gjermane janë në gatishmëri të lartë. Policia federale ka paralajmëruar se këto fluturime mund të jenë organizuar nga agjentë rusë.
Një zëdhënës i policisë i tha BBC-së se objekti i zbuluar gjatë natës në Aeroportin e Leipzigut ishte parë pranë avionëve transportues ukrainas Antonov, të cilët ishin të parkuar.
Objekti u ekzaminua me ndihmën e Policisë Federale dhe një roboti për zbulimin e lëndëve shpërthyese.
Njësia e Policisë Federale për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (EOD) hoqi detonatorin nga pajisja shpërthyese.
Fluturimet në pistën veriore rifilluan, ndërsa pista jugore, e cila është një qendër kryesore për grupin logjistik DHL, mbetet e mbyllur.
Ministri i Brendshëm i Saksonisë, Armin Schuster, e ka përshkruar ngjarjen si një “incident shumë serioz të sigurisë”.