Ish-ministri Mutotue Kafuaya, është vrarë gjatë një operacioni të forcave të sigurisë në Lusaka, vetëm një ditë pas zgjedhjeve presidenciale. Autoritetet konfirmuan se 49-vjeçari u qëllua gjatë një bastisjeje në një banesë.
Policia tha se forcat e sigurisë u përballën me të shtëna dhe rezistencë nga persona të paidentifikuar. Sipas autoriteteve, efektivët iu përgjigjën zjarrit dhe gjatë përleshjes një person u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën. Në vendngjarje u gjet edhe një armë zjarri. Fillimisht viktima nuk u identifikua, por më vonë familjarët konfirmuan se ishte ish-ministri Kafuaya.
Gjatë operacionit u arrestuan 11 persona. Autoritetet kanë akuzuar partinë e Mundubiles, NRPUP, se është përfshirë në aktivitete kryengritëse dhe se ka pasur lidhje me grupe të armatosura. Policia pretendon gjithashtu se në zonë mbaheshin armë.
Ngjarja ndodh në një moment të tensionuar politik në Zambia. Sipas rezultateve zyrtare, presidenti në detyrë Hakainde Hichilema fitoi një mandat të dytë me rreth 60% të votave. Mundubile mori rreth 38% dhe ka deklaruar se do ta kundërshtojë rezultatin në gjykatë, duke pretenduar se procesi i numërimit është manipuluar.
Kafuaya kishte një karrierë të gjatë politike. Ai u zgjodh deputet në vitin 2016 dhe në vitin 2018 u emërua ministër i Punëve Publike nga presidenti i atëhershëm Edgar Lungu. Një vit më vonë mori drejtimin e Ministrisë së Transportit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2021, kur Lungu humbi zgjedhjet ndaj Hichilemas.
Pas humbjes së Lungu-së, Kafuaya vazhdoi të ishte pjesë e opozitës dhe mbajti mandatin e deputetit.
Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësime për zgjedhjet. Misioni i Bashkimit Evropian i cilësoi zgjedhjet përgjithësisht si paqësore, por tha se gara nuk kishte qenë plotësisht e barabartë. Vëzhguesit kritikuan kufizimet ndaj opozitës, problemet me lirinë e medias dhe vështirësitë në aksesin e partive opozitare në media gjatë fushatës.
Probleme u raportuan edhe gjatë numërimit të votave. Komisioni zgjedhor e ndërpreu procesin për rreth gjashtë orë, duke përmendur dhunën ndaj punonjësve dhe pretendimet për vjedhje të kutive të votimit.
Vëzhguesit e BE-së vunë re probleme të tjera. Në disa qendra, rezultatet nuk u regjistruan menjëherë në dokumentet zyrtare, ndërsa pati edhe mospërputhje dhe dobësi në kontrollin e të dhënave elektronike me ato në letër. Në raste të tjera, zyrtarët ndaluan numërimin për të pritur udhëzime nga drejtuesit qendrorë.
Vrasja e ish-ministrit ka rritur edhe më shumë tensionet në Zambia.