I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka mbërritur në Shën Pjetërburg të Rusisë, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.
Qëllimi është avancimi i propozimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të hapur rrugën drejt negociatave më të gjera.
Para se të udhëtonte drejt Rusisë, emisari amerikan kishte zhvilluar takime në Norvegji me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Takimi mes Witkoff-it dhe Putinit është planifikuar të zhvillohet gjatë pjesës së parë të së mërkurës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.
Një zyrtar amerikan i tha CNN-it se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë shënuar “përparim domethënës” gjatë bisedimeve të së martës në Norvegji.
“Diskutimet mbuluan elemente kyçe të një kuadri gjithëpërfshirës paqeje, duke përfshirë garanci afatgjata sigurie për Ukrainën, një plan ekonomik dhe të prosperitetit për periudhën e pasluftës, si dhe një arkitekturë më të gjerë të sigurisë evropiane, të hartuar për të krijuar stabilitet afatgjatë,” u shpreh zyrtari.
Rusia ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga i gjithë rajoni i Donbasit në Ukrainën lindore, i cili aktualisht ndodhet kryesisht nën kontrollin rus.
Moska kërkon gjithashtu që Ukraina të zvogëlojë ndjeshëm madhësinë e ushtrisë së saj dhe të zotohet se nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s.
Ndryshe, Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në negociatat e paqes, vuan nga gripi dhe do t’i bashkohet takimit në Rusi në distancë.