Banorët e Rripit të Gazës i kanë rrëfyer BBC-së pasojat e urisë ekstreme, pasi një raport i mbështetur nga OKB-ja konfirmoi për herë të parë shpërthimin e urisë në këtë territor.

Reem Tawfiq Khader, 41 vjeçe, nënë e pesë fëmijëve nga Gaza City, tha se shpallja e urisë erdhi shumë vonë, por gjithsesi është e rëndësishme.

“Ne nuk kemi ngrënë proteina prej pesë muajsh. Fëmija im më i vogël është katër vjeç, ai nuk e di si duken dhe çfarë shije kanë frutat e perimet”, tha ajo.

Reklamë

OKB thotë se Izraeli ka kufizuar ndjeshëm ndihmat që hyjnë në Gaza, gjë që Izraeli e mohon. Tel Avivi mohon gjithashtu ekzistencën e urisë në territor, në kundërshtim të hapur me mbi 100 organizata humanitare, dëshmitarë në terren dhe disa agjenci të OKB-së.

Të premten, klasifikimi i fazave të sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB (IPC) deklaroi se në qytetin e Gazës dhe zonat përreth po zhvillohet një uri “krejtësisht e shkaktuar nga njeriu”. Raporti paralajmëroi se mbi gjysmë milioni njerëz në gjithë Gazën po përballen me kushte “katastrofike” të shoqëruara me “uri, mjerim dhe vdekje”.

Rajaa Talbeh, 47 vjeçe, nënë e gjashtë fëmijëve, tha se kishte humbur 25 kilogramë. Ajo u largua nga shtëpia e saj në lagjen Zeitoun të Gaza City një muaj më parë dhe tani jeton në një çadër të improvizuar pranë bregdetit.

Ajo vuan nga intoleranca ndaj glutenit dhe thotë se nuk gjen më ushqime të përshtatshme për të.

“Para luftës, një organizatë bamirëse më ndihmonte me produkte pa gluten, që nuk i përballoja dot vetë. Që nga nisja e luftës nuk gjej më gjë në treg, dhe kur gjej, nuk e blej dot. A nuk mjafton bombardimi i përditshëm, shpërngulja dhe jeta në një çadër që nuk na mbron as nga vapa e verës e as nga i ftohti i dimrit, e tani edhe uria mbi të gjitha?”, tha ajo.

Reklamë

Rida Hijeh, 29 vjeçe, tha se vajza e saj 5-vjeçare Lamia ka rënë nga 19 kg në vetëm 10.5 kg. Ajo tregon se Lamia ishte e shëndetshme para luftës dhe nuk kishte probleme shëndetësore.

“Kjo ndodhi vetëm për shkak të urisë. Thjesht nuk ka asgjë për fëmijën të hajë. Nuk ka perime, nuk ka fruta”, tha ajo.

Tani, Lamia vuan nga ënjtje në këmbë, rënie të flokëve dhe probleme me nervat.

“Ajo nuk mund të ecë. Shkova në shumë klinika e spitale. Të gjithë mjekët më thanë se vajza po vuan nga kequshqyerja. Por asnjë prej tyre nuk më dha ndonjë trajtim apo ndihmë”, tha Rida.

Reklamë

Mandy Blackman, një infermiere britanike që punon për organizatën UK-Med në Gaza, tha se 70% e nënave që ndjekin klinikat e tyre për shëndetin maternal para dhe pas lindjes, vuajnë nga kequshqyerja.

“Bebet lindin më të vogla dhe më të brishta si pasojë”, tha ajo.

Më shumë se 62 mijë persona janë vrarë në Gaza që prej nisjes së fushatës ushtarake të Izraelit, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 271 persona, mes tyre 112 fëmijë, kanë vdekur nga “uria dhe kequshqyerja”, sipas ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi në Gaza./tvklan

Reklamë