Franca ka marrë vendim për ta ndaluar pirjen e duhanit në të gjitha vendet e hapura, që mund të frekuentohen nga fëmijët. Për këtë vendim, ka njoftuar Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin.
Ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 korrik dhe do të përfshijë plazhet, parqet, kopshtet publike, shkollat , stacionet e autobusëve dhe mjediset sportive, shkruan BBC.
“Duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë”, tha Vautrin në një intervistë të botuar nga e përditshmja Ouest-France.
Sipas saj, “liria për të pirë duhan duhet të mbarojë aty ku fillon liria e fëmijëve për të thithur ajër të pastër”.
Vautrin shpjegoi se shkelja e rregullave do të shkaktonte një gjobë prej 135 eurosh. Zbatimi i vendimit do të bëhet nga Policia, ndonëse ajo beson edhe në “vetërregullim”.
Edhe pse cigaret elektronike janë të përjashtuara, Vautrin tha se po punonte për të futur kufizime në sasitë e nikotinës që ato përmbajnë.