Ndërsa flitet për hyrjen në të ashtuquajturën “Faza 2” të konfliktit në Gazë, diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të ndërtojë një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit që do të ndihmonte në ruajtjen e armëpushimit, rindërtimin e institucioneve lokale dhe lehtësimin e ndihmave humanitare. Por rruga drejt këtij objektivi është e mbushur me kurthe politike dhe ushtarake.
Sipas një raportimi të Corriere della Sera, SHBA-të kanë ngritur tashmë një Qendër Koordinimi në zonën industriale të Kiryat Gat, e përbërë nga rreth 200 ushtarë amerikanë. Ata nuk do të hyjnë në Rripin e Gazës, por do të veprojnë nga jashtë për të mbështetur misionin ndërkombëtar. Zëvendëspresidenti amerikan Vance, që ndodhet aktualisht në Izrael, ka ndërmarrë atë që burime diplomatike e kanë quajtur një mision “Bibi sitting”, për të penguar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të rifillojë ofensivën ushtarake pas disa shkeljeve të armëpushimit nga Hamas.
Një mision me shumë paqartësi
Sipas gazetës italiane, brenda dy javësh pritet që përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse t’i bashkohen strukturës së komandës, por lista e plotë e kontribuesve ende nuk është përcaktuar.
The New York Times ka renditur pesë pika kritike që po pengojnë formimin e forcës:
1. Mungesë qartësie për objektivat. As dokumentet e CENTCOM dhe as plani amerikan nuk japin detaje konkrete për misionin. Në terren, ekipet e OKB-së kanë çaktivizuar mbi 500 mina në vetëm pak ditë.
2. Asnjë vend nuk dëshiron të luftojë Hamasin. Aleatët hezitojnë të “bëjnë punën e pistë” që Izraeli refuzon të përfundojë vetë.
3. Rreziku në zonat e populluara. Të ashtuquajturit “vullnetarë” e konsiderojnë vetëvrasje hyrjen në lagjet ku ndodhen tunelet e Hamasit dhe kurthet e luftëtarëve.
4. Autoriteti Palestinez po lëviz me kujdes. Egjipti dhe Jordania po stërvitin 5 deri në 10 mijë agjentë palestinezë, por pjesëmarrja e tyre në mision mbetet e paqartë.
5. Çështja më delikate, çarmatosja e Hamasit. Lëvizja ka premtuar se do të ndalë ekzekutimet publike, por refuzon të dorëzojë arsenalin. SHBA-të kanë deklaruar se çarmatosja nuk është e negociueshme.
Kush mund të marrë pjesë?
Uashingtoni ka kontaktuar disa vende për të testuar gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në mision. Në listë renditen Egjipti, Katari, Jordania, Azerbajxhani, Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në mënyrë më të diskutueshme, aty përfshihet edhe Turqia, që ka marrë pjesë në negociatat, por mbetet një nga sponsorët kryesorë të Hamasit. Kjo ka sjellë kundërshtimin e fortë të Izraelit, që nuk pranon trupa turke në kufirin jugor, për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve dhe rivaliteteve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun lindor.
Zyra e kryeministrit Netanyahu, sipas mediave izraelite, ka refuzuar përfshirjen e Turqisë dhe të Autoritetit Palestinez në misionin e ardhshëm. Megjithatë, presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti Vance, kanë lavdëruar publikisht presidentin turk Erdogan për rolin e tij diplomatik, duke theksuar se çdo pjesëmarrës duhet të ketë miratimin e Izraelit.
Gjatë një konference në Izrael, përreth podiumit ku foli Vance, u vunë re flamujt e Britanisë, Kanadasë, Gjermanisë, Danimarkës dhe Jordanisë, një sinjal se këto vende mund të jenë ndër të parat që do të kontribuojnë me personel në Qendrën e Komandës në Kiryat Gat. Britania, sipas burimeve diplomatike, ka dërguar tashmë një skuadër të vogël ushtarake si pararojë e mundshme e forcës stabilizuese.