Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar 1.238 kilogramë kokainë në provincën e Seviljes, pasi droga ishte fshehur në një ngarkesë me arra kokosi që transportohej me kamion.
Sipas policisë spanjolle, lënda narkotike ishte vendosur në pjesën e pasme të rimorkios dhe poshtë paletave me arra kokosi, në përpjekje për të kamufluar transportin.
Operacioni nisi në muajin dhjetor, kur hetuesit identifikuan një kompani në Dos Hermanas, në Sevilje, për të cilën dyshohej se mund të përdorej për futjen e drogës në territorin spanjoll.
Pas hetimeve, autoritetet vunë nën vëzhgim një kontejner të dyshimtë.
Policia ndërhyri në momentin kur ngarkesa po transportohej drejt një magazine. Gjatë kontrolleve në dy prona në provincën e Seviljes, u gjetën gjithashtu para cash dhe pajisje elektronike që mund të shërbejnë si prova në hetim.
Deri tani janë arrestuar dy persona, të dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës. Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se hetimi vijon dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera.
Spanja konsiderohet një prej pikave kryesore të hyrjes së kokainës në Bashkimin Evropian, veçanërisht për ngarkesat që vijnë nga Amerika Latine.
Në vitin 2024, autoritetet spanjolle sekuestruan rreth 124 tonë kokainë, duke përbërë afërsisht 37 për qind të sasisë së kapur në të gjithë BE-në.
Sipas të dhënave evropiane, Spanja, Franca dhe Belgjika përbënin së bashku rreth dy të tretat e kokainës së sekuestruar në BE gjatë atij viti.
Megjithëse sasia totale e kapur ra krahasuar me vitin paraprak, numri i konfiskimeve u rrit, ndërsa grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë ngarkesa më të vogla për ta bërë zbulimin e drogës më të vështirë.