Autoritetet greke kanë ndaluar një gomone, e cila dyshohet se përdorej për transportin e lëndëve narkotike.
Sipas medias greke “Protothema” në pranga është vënë edhe një shtetas shqiptar.
Po sipas mediave greke, dyshohet se gomonia e bllokuar i përket grupit që u kap disa ditë më parë, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe një italian.
Personi i arrestuar sot dyshohet se ka lidhje pikërisht me tre personat e tjerë, të arrestuar me një gomone në ishullin Lesvos.
Operacioni i sotëm u zhvillua rreth orës 15:30 në ishullin Aegina.
Sipas autoriteteve greke, gomonet bënin shkëmbimin e kanabisit me heroinë në Turqi.