Një person është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar zjarrin në Pacific Palisades të Los Angeles, i cili i mori jetën 12 personave dhe shkatërroi më shumë se 6 mijë shtëpi në janar.

Zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë thanë se provat e mbledhura nga pajisjet digjitale të 29-vjeçarit Jonathan Rinderknecht përfshinin një imazh të gjeneruar prej tij në ChatGPT, që paraqiste një qytet në flakë.

Zjarri shpërtheu më 7 janar pranë një shtegu të njohur për ecje, me pamje nga lagja e pasur bregdetare.

Reklamë

Po atë ditë, një tjetër zjarr shpërtheu në zonën e Los Angeles, duke vrarë 19 persona të tjerë dhe duke shkatërruar rreth 9 mijë e 400 ndërtesa. Shkaku i atij zjarri mbetet i paqartë. Rinderknecht pritet të dalë në gjykatë në Orlando, Florida, të mërkurën. Ai dyshohet se ndezi zjarrin në Pacific Palisades natën e Vitit të Ri.

Sipas BBC, Rinderknecht u arrestua në Florida të martën dhe akuzohet për shkatërrim prone me zjarr, tha Prokurori i Përkohshëm i SHBA, Bill Essayli, në një konferencë për shtyp të mërkurën në Los Angeles.

“Arrestimi, shpresojmë, do të sjellë një farë drejtësie për të gjithë ata që u prekën”, tha Essayli.

Zyrtarët thanë se akuza të tjera, përfshirë edhe vrasje për ata që humbën jetën, mund të ngrihen në të ardhmen. Sipas autoriteteve, i dyshuari njihte zonën pasi kishte qenë banor i Pacific Palisades. Pas zjarreve, ai ishte zhvendosur në Florida.

Zjarri i ndezur prej tij natën e Vitit të Ri u përhap gjatë ditëve që pasuan, duke u bërë një prej zjarreve më shkatërruese në historinë e Los Angeles.

Reklamë

Mes mijëra ndërtesave të shkatërruara nga zjarret ishin edhe shtëpitë e disa personazheve të njohur, përfshirë Mel Gibson, Paris Hilton dhe Jeff Bridges.