×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Irani paralajmëron Bullgarinë të mos lejojë SHBA-në të përdorë bazat e saj

    Reporteri
    21 Korrik 2026 | 22:26

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit paralajmëroi Bullgarinë që të mos lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat e saj për operacione ushtarake kundër Republikës Islamike.

    Esmail Baqaei tha më 21 korrik se çdo pjesëmarrje dhe bashkëpunim në përgatitjen dhe zbatimin e sulmeve amerikane “do të konsiderohet bashkëfajësi në kryerjen e krimit të agresionit dhe krimeve të luftës”.

    Kryeministri bullgar, Roman Radev, ka thënë se do të kërkojë miratimin e Parlamentit për dislokimin e deri në tetë aeroplanëve cisternë amerikanë në një bazë ajrore në vend.

    Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei, tha se ishte i befasuar nga deklaratat e Radevit, duke shtuar: “Vënia në dispozicion e territorit të një shteti për përdorim nga një shtet tjetër me qëllim kryerjen e një akti agresioni kundër një shteti të tretë konsiderohet akt agresioni”.

    Tha se shpreson që Parlamenti bullgar do ta refuzojë kërkesën që SHBA-së t’i jepet leja për të përdorur bazën ajrore në Bullgari.

    Që kur ka nisur në fund të shkurtit me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Uashingtoni ka kritikuar disa herë shtetet evropiane të NATO-s se nuk po e përkrahin luftën.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “jemi të zhgënjyer nga shumica” e shteteve evropiane të NATO-s.

    Por, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se një sërë bazash ushtarake amerikane në Evropë janë përdorur në operacionet ndaj Republikës Islamike./ REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!