Irani ka paralajmëruar pronarët dhe kapitenët e të gjitha anijeve që synojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit se duhet të regjistrohen dhe të marrin një leje si edhe sigurim përpara se t’u lejohet hyrja në këtë rrugë ujore jetike, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Autoriteti i sapokrijuar iranian për Ngushticën e Gjirit Persik (PGSA) njoftoi të premten se të gjitha anijet duhet të respektojnë kushtet dhe kërkesat e tij për të siguruar “kalimin e sigurt të anijeve tregtare”.
Regjistrimi dhe sigurimi do të jenë falas gjatë periudhës 60-ditore të mbuluar nga memorandumi i mirëkuptimiti nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani në fillim të kësaj jave. Megjithatë, Irani ka lënë të kuptohet se mund të vendosë tarifa pas përfundimit të kësaj periudhe.
“Gjatë periudhës 60-ditore, tarifat për shërbimet e sigurisë, mbrojtjes dhe mjedisit, si dhe sigurimet përkatëse iraniane, nuk do të mblidhen nga pronarët e anijeve dhe do të mbulohen nga qeveria e Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në deklaratë.
Presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli të martën se ngushtica do të ishte e hapur “pa pagesë kalimi gjatë 60 ditëve të para dhe edhe më pas”. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment lidhur me sinjalizimin e Iranit se mund të vendosë tarifa në të ardhmen.
PGSA gjithashtu paralajmëroi pronarët dhe kapitenët e anijeve se të gjitha mjetet lundruese duhet të ndjekin një korridor lundrimi të përcaktuar në mënyrë strikte përmes ngushticës, me qëllim shmangien e minave detare.
“Mospërputhja me këto kërkesa do të jetë përgjegjësi e pronarit të anijes”, thuhet në deklaratë.
Këto kushte të reja për kalimin përmes ngushticës u njoftuan në një kohë kur trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit më në fund ka filluar të rritet, pas muajsh me lëvizje shumë të kufizuara për shkak të frikës nga sulmet e mundshme iraniane./Reporteri.net