Që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është përmbajtur një rregulli: Të mos humbasë asnjë rast për t’u takuar me udhëheqësin amerikan dhe për ta tërhequr në anën e Kievit.
Këtë të martë, ai ka mundësinë më të fundit për t’u takuar me Trump-in, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Për Zelensky-n, një takim ballë për ballë me Trump-in mund të sjellë më shumë rezultate sesa fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Zelensky ishte një nga udhëheqësit që ndoqën fjalimin e Trump-it sot në Nju Jork. Gjatë fjalimit të presidentit amerikan, Zelensky ndau një deklaratë në rrjetet sociale, ku shprehet se “Zëri i Ukrainës do të dëgjohet veçanërisht fort këtu në ditët në vijim, për kthimin e fëmijëve tanë, garanci sigurie dhe rritjen e presionit ndaj Federatës Ruse. Do të bëjmë gjithçka për të forcuar pozicionet tona diplomatike, ushtrinë tonë dhe mbështetjen për popullin tonë.”
Duke theksuar rëndësinë e rezultateve, Zelensky tha se është “vendimtare” që takimet në kuadër të Asamblesë të sjellin rezultate dhe se ai do të takohet me Trumpin më vonë gjatë ditës.
Edhe gratë e tyre Melania Trump dhe Olena Zelenska pritet të takohen sot. Kujtojmë se kjo e fundit i pati dërguar një letër Melanias muajin e kaluar, e cila iu dorëzua me dorë përmes burrave të tyre.
Kjo letër erdhi pas vendimit të Melanias për t’i shkruar Vladimir Putinit për luftën në Ukrainë, gjatë kohës kur Donald Trump e priti liderin rus në Alaskë. Letra e gruas së liderit ukrainas e falënderonte Melanian për shkrimin drejtuar liderit rus.
Zonja e parë e SHBA-ve do të presë gjithashtu dhjetëra gra e burra të krerëve të shteteve sot në Nju Jork, ku planifikon të shpallë një nismë të re globale të përqendruar tek fëmijët, sipas Shtëpisë së Bardhë.