Presidenti amerikan Donald Trump u largua fshehurazi nga Turqia muajin e kaluar, pasi autoritetet amerikane kishin marrë një kërcënim të besueshëm për një atentat ndaj tij nga Irani.
Sipas një raportimi të “The Washington Post”, Trump nuk udhëtoi drejt Britanisë me avionin “Air Force One”, siç u bë e ditur publikisht. Në vend të tij, ai u transferua në mënyrë sekrete në një avion tjetër ushtarak C-32A.
Operacioni u zhvillua gjatë largimit nga samiti i NATO-s në Ankara. Trump fillimisht hipi në “Air Force One”, përpara kamerave televizive, duke krijuar përshtypjen se do të udhëtonte me të drejt Britanisë.
Pak minuta më vonë, ai dhe disa pjesëtarë të stafit u larguan nga avioni përmes një furgoni që përdoret zakonisht për furnizimin me ushqime në avionë. Furgoni u pozicionua pranë avionit dhe më pas e transportoi grupin drejt C-32A-së, ku Trump vazhdoi udhëtimin.
🇺🇸🇹🇷🇮🇷 ICYMI: The leader of the free world had to sneak out of a NATO summit hidden in an airport catering truck. You cannot make this up.
This wasn't a war zone or hostile territory. It was Ankara, at a gathering of the most powerful military alliance on the planet, surrounded…
— Mario Nawfal (@MarioNawfal) August 11, 2026
Në të njëjtën kohë, gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë mbetën në “Air Force One”, duke besuar se presidenti ndodhej në bord. Avioni shërbeu në këtë mënyrë si një “karrem”. Për të mos zbuluar vendndodhjen e Trumpit, avioni C-32A përdori thirrjen “Reach 18”, ndërsa sistemet që mundësojnë gjurmimin e lehtë të avionit ishin të fikura.
Kërcënimi ndaj presidentit erdhi në një periudhë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas raportimit, shërbimet amerikane të inteligjencës kishin sinjalizuar një kërcënim specifik ndaj Trumpit ose avionit me të cilin ai do të udhëtonte.
Një tjetër arsye për masat e shtuara të sigurisë lidhej me avionin e ri të dhuruar nga Katari. Avioni Boeing 747-8, që Trump kishte përdorur për të shkuar në Turqi, ishte kritikuar për mungesën e disa sistemeve mbrojtëse që disponon avioni i vjetër presidencial.
Pas mbërritjes në bazën amerikane Mildenhall në Britani, Trump u shfaq sërish përpara kamerave, duke zbritur nga “Air Force One” i vjetër. Më pas ai hipi në avionin e ri të dhuruar nga Katari dhe vazhdoi udhëtimin drejt SHBA-së.
Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi drejtpërdrejt operacionin sekret, por deklaroi se avioni i ri është i sigurt dhe se administrata përdor çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur presidentin. Vetë Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas udhëtimit, tha se kërcënimet ndaj jetës së tij janë të vazhdueshme dhe se ai është në krye të listës së Iranit.