Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë menjëherë kërcënimet për përdorimin e forcës kundër Kubës dhe t’i japin fund sanksioneve të njëanshme dhe bllokadës ndaj ishullit.

Deklarata u bë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, gjatë një konference të rregullt për mediat, pasi u pyet për raportimet se Uashingtoni po planifikon operacione ushtarake kundër Kubës.

“Pekini do të vazhdojë ta mbështesë me vendosmëri Kubën në mbrojtjen e sovranitetit të saj kombëtar dhe në kundërshtimin e ndërhyrjeve të jashtme“, deklaroi Mao, duke shtuar se Kina do të bashkëpunojë me të gjitha palët për të mbrojtur “drejtësinë dhe barazinë ndërkombëtare”.

Reklamë

Marrëdhëniet mes Kubës dhe SHBA-së janë përkeqësuar gjatë administratës së presidentit Donald Trump, e cila e ka shpallur ndryshimin e regjimit në Havanë si një nga objektivat e saj.

Sipas autoriteteve kineze, Uashingtoni ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Kubës përmes bllokadës së naftës dhe sanksioneve të gjera ekonomike.

Këto masa kanë ndikuar në përkeqësimin e krizës energjetike në vend, duke shkaktuar ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike dhe paqëndrueshmëri të rrjetit energjetik.