Kina ka vendosur tarifa të përkohshme deri në 62.4% për importet e mishit të derrit dhe nënprodukteve të tij nga Bashkimi Evropian. Një veprim ky, që shihet gjerësisht si kundërpërgjigje ndaj tarifave të vendosura nga Bashkimi Evropian mbi automjetet elektrike kineze.
Sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës, pas më shumë se një viti hetime, “provat paraprake tregojnë se importet e mishit të derrit nga BE-ja janë hedhur në treg nën kosto, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në industrinë vendase”. Tarifat e reja, që variojnë nga 15.6% deri në 62.4%, do të zbatohen përkohësisht.
Hetimi u shpall fillimisht në qershor të vitit të kaluar, menjëherë pasi Brukseli njoftoi rritjen e tarifave deri në 45% për disa prodhues kinezë të automjeteve elektrike, si pjesë e një hetimi për subvencione të padrejta. Masa e Kinës shihet si një përgjigje direkte ndaj kësaj politike tregtare të BE-së.
Industria bujqësore evropiane, veçanërisht fermerët në Spanjë, Holandë, Danimarkë, Gjermani dhe Belgjikë, pritet të preken më së shumti nga vendimi i Pekinit.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për tregtinë, Olof Gill, deklaroi se Komisioni do të shqyrtojë njoftimin e Kinës, por theksoi se hetimi i kryer nga autoritetet kineze “bazohet në pretendime të dyshimta dhe mungesë të provave të mjaftueshme, ndaj nuk është në përputhje me rregullat e OBT-së (Organizata Botërore e Tregtisë)”.
Ai shtoi gjithashtu se marrëveshjet e fundit tregtare, përfshirë atë me Meksikën, po krijojnë mundësi të reja për eksportuesit evropianë të mishit të derrit.
Ky vendim vjen në një moment të vështirë për fermerët evropianë të derrave, të cilët po përballen me rritje të kostove, rënie të çmimeve dhe ulje të ndjeshme të eksporteve. Sasia e eksportuar nga BE-ja ka rënë nga 6.4 milionë ton në vitin 2020 në vetëm 4.3 milionë ton në vitin 2024, një rënie me dy të tretat. Pjesa më e madhe e kësaj rënieje ka ndodhur në tregun kinez, pasi Kina ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas të mishit të derrit.
Pavarësisht kësaj, Kina dhe Hong-Kongu mbeten ende tregu më i madh për eksportin e mishit të derrit nga BE-ja, me rreth 1.18 milionë ton të importuara në vitin 2024 një rënie nga 3.6 milionë ton në vitin 2020. Kina zakonisht importon pjesë të kafshëve që nuk janë të preferuara në tregun evropian, si koka dhe këmbët, duke ndihmuar në ruajtjen e fitimit për prodhuesit evropianë.
Ndërkohë, fermerët e BE-së po përballen edhe me sfida të tjera, përfshirë konkurrencën nga importet. Brukseli ka propozuar një kuotë pa tarifa doganore prej 25 mijë ton në vit për SHBA-në, si pjesë e një marrëveshjeje tregtare të fundit. Kjo marrëveshje parashikon edhe tarifa 15% për eksportet e BE-së drejt SHBA-së, të cilat arritën mbi 700 milionë dollarë në vitin 2024.
Të mërkurën, BE-ja paraqiti për miratim marrëveshjen tregtare me bllokun e vendeve të Amerikës Latine (Mercosur), e cila parashikon eksportin pa taksa të 25 mijë tonëve të tjera mish derri drejt BE-së.
Bashkimi Evropian është prodhuesi i dytë më i madh në botë i mishit të derrit pas Kinës dhe eksportuesi më i madh global. Gjermania, Spanja dhe Franca janë vendet më të mëdha prodhuese brenda bllokut.