Protestat kanë shpërthyer në kryeqytetin kubanez, Havana, ndërsa qyteti u përball me ndërprerjet më të këqija të energjisë elektrike në dekada, mes bllokadës amerikane që e ka lënë ishullin pa karburant.
Turma me qindra kubanë të zemëruar dolën në rrugë në disa lagje periferike, duke bllokuar rrugët me pirgje mbeturinash të cilave iu kishin vënë zjarrin, duke iu rënë tenxhereve dhe duke bërtitur “Ndizni dritat!”.
Ata bërtisnin gjithashtu slloganin: “Populli, i bashkuar, nuk do të mposhtet kurrë!”. Kjo shënoi natën më të madhe të demonstratave në Havana që nga fillimi i krizës energjetike.
Banori i Havanës, Rodolfo Alonso, tha se kishte vendosur të protestonte pasi lagjja e tij Playa qëndroi për më shumë se 40 orë pa energji elektrike.
“Unë jetoj në një komunitet ku ka shumë të moshuar, shumë prej tyre të shtrirë në shtrat. Ushqimi ynë po prishet. Ne filluam t’iu binim tenxhereve për të parë nëse do të na jepnin vetëm tre orë energji elektrike. Kjo është e gjitha që duam. Ky nuk është një problem politik”, tha një qytetar në Kubë.
Ministri i energjisë dhe minierave i Kubës tha se vendi kishte mbetur plotësisht pa naftë dhe se rrjeti i tij elektrik kishte hyrë në një gjendje “kritike”.
Ndërprerjet e energjisë elektrike në Havanë dhe më gjerë vijnë ndërsa bllokada amerikane ndaj importit të karburantit në Kubë hyn në muajin e katërt, duke dëmtuar shërbimet publike në të gjithë ishullin e Karaibeve me gati 10 milionë banorë.